Kompanitë ajrore botërore mund të regjistrojnë këtë vit deri në 113 miliardë dollarë humbje të të ardhurave për shkak të epidemisë së koronavirusit të ri, theksoi sot Shoqëria Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).

“Situata që rezulton nga COVID-19 është pothuajse e pazakontë”, nënvizoi drejtori i përgjithshëm i IATA-s, Alexandre de Juniac, në një komunikatë të publikuar në përfundim të një takimi në Singapor.

“Në më pak se dy muaj, perspektiva e këtij sektori në pjesën më të madhe të rajoneve të botës do të zbehet në mënyrë radikale”, theksoi ai.

IATA i vlerësoi humbjet e të ardhurave nga kompanitë ajrore për transportin e pasagjerëve në një interval që arrin deri në 63 miliardë dollarë, nëse përhapja e virusit ndalon dhe deri në 113 miliardë dollarë nëse koronavirusi vazhdon të përhapet.

Ky vlerësim nuk merr parasysh humbjet e transportit të mallrave.

Skenari më i keq është një ulje prej 19% e të ardhurave botërore nga transporti ajror i pasagjerëve.

“Nga pikëpamja financiare, kjo do të ishte ekuivalente me atë që ka pësuar sektori gjatë krizës së fundit financiare botërore”, theksoi organizata.

Më 20 shkurt, IATA publikoi vlerësimin e parë prej 29,3 miliardë dollarësh nga humbjet e të ardhurave në një skenar ku impakti ishte i limituar në tregjet e asociuara në Kinë. Por virusi ka prekur që prej asaj kohe më shumë se 80 vende.

Më shumë se 95 000 persona në botë janë prekur nga koronavirusi i ri dhe 3 200 kanë humbur jetën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb