Tani që sezoni është në mbyllje, mund ta themi pa dyshime se Xhuliano Skuka është një nga “trofetë” e Partizanit në këtë sezon.

XHULIANO SKUKA

23-vjeçari e nisi sezonin me Dinamon, por pasi u bë “dem” pësoi një transformim të madh dhe u shndërrua në “fenomenin” e Superiores.

Dibrani me pasaportë franceze ka kontratë edhe për dy vite me Partizanin, por paraqitjet e tij spektakolare me të kuqtë në gjysmën e dytë të sezonit, nuk ia bëjnë të sigurt qëndrimin në kryeqytet.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se për sulmuesin ka interes konkret nga një prej tri klubeve kryesuese të kampionatit hungarez.

Trajneri i këtij ekipi, emri i të cilit mbetet konfidencial për momentin, e ka pëlqyer Skukën dhe ka sinjalizuar klubin të punojë për ta afruar.

PLANI I PARTIZANIT – Klubi i kuq kërkon të ndërtojë një ekip konkurrues për titullin kampion dhe ka në plan ta mbajë Skukën edhe për sezonin e ardhshëm në gjirin e ekipit.

Gjithsesi, nëse diçka nuk bëhet me para, bëhet me shumë para dhe drejtuesit e “demave” nuk pritet të refuzojnë në rast se vjen një ofertë e mirë, që do të konsistonte me rreth 300 mijë euro.

Mbetet për t’u parë përgjigjja e klubit hungarez në lidhje me pretendimet e Partizanit, që zakonisht është treguar mjaft këmbëngulës në negociata.

Gjithsesi, Hungaria nuk është pista e vetme për Skukën, pasi një klub i ligës elitare në Belgjikë dhe një tjetër në Ligën e Dytë në Francë kanë shfaqur interes, por pa avancuar në negociata konkrete.

SHIFRAT DHE “BONUSI” – Skuka ka luajtur në 20 ndeshje si titullar me Partizanin në këtë sezon dhe ka shënuar 9 gola, si asnjë tjetër te të kuqtë gjatë kësaj periudhe. Duhet të themi se Skuka, hapat e parë si futbollist i ka hedhur në Francë, nga ku është kthyer në moshën 18-vjeçare, për t’u bashkuar me Korabin. Përveç asaj shqiptare, ai ka edhe pasaportë franceze, çka është një avantazh, pasi nuk konsiderohet si ekstrakomunitar në ligat e vendeve të Bashkimit Europian/ Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: