TIRANE – Qëndrimet brenda maxhorancës për refugjatët sirianë, duket se nuk janë në të njëjtën linjë. Pas deklaratës së ministres Klajda Gjosha se Shqipëria është e përgatitur për të pritur çdo fluks të mundshëm emigrantësh, kryeministri Edi Rama theksoi se “kufiri nuk do të hapet, pasi sipas tij, nuk i kemi as kushtet, as fuqinë dhe as delirin që mund të shpëtojmë botën, ndërkohë që të tjerët mbyllin kufijtë”.

I pyetur për këtë çështje, kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha: “Unë jam i bindur që ne do të japim kontributin tonë sipas mundësive dhe kapaciteteve që ne kemi”.

GJOSHA
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjoshja, deklaroi dje nga Korça se Shqipëria është e përgatitur për të pritur çdo fluks të mundshëm emigrantësh. Në një prononcim për mediat, Gjosha garantoi se vendi ynë nuk do të ngrejë mure kundër emigrantëve, por secili prej tyre do t’i nënshtrohet procesit të regjistrimit. Ajo theksoi se qeveria shqiptare është e përgatitur për menaxhimin e fluksit të mundshëm të emigrantëve.

“Jam e informuar që ka një numër të madh Sirianësh që presin të hyjnë në Shqipëri. Për mendimin tim, qeveria do të jetë e gatshme të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme duke mos ndërtuar asnjë mur kundrejt këtyre refugjatëve, që kërkojnë të hyjnë në vendin tonë”, – deklaroi Gjosha.

RAMA NE “TOP STORY”
PYETJE: Ka një çështje, për të cilën ju kanë kritikuar, edhe unë mes të tjerëve. Çështja e refugjatëve sirianë…
Ne nuk do të hapim kufirin, sepse nuk i kemi as kushtet, as fuqinë dhe as delirin që mund të shpëtojmë botën, ndërkohë që të tjerët mbyllin kufijtë. Unë shpresoj që nga mbyllja e kufijve Evropa të kuptojë se nuk mundet dot të vazhdojë duke ia hedhur vetvetes. Disa vende ua hedhin të tjerëve, duke u munduar t’ia hedhin Gjermanisë, Italisë, madje edhe Greqisë që mezi po mban veten.
PYETJE: Si ta kuptojmë deklaratën e ministres Gjosha se ne nuk do të kemi kufij të mbyllur…?
Do ta pyes e të them. Unë nuk kam thënë që mbyllini ju kufijtë dhe do ta marrim barrën ne. Unë kam thënë që ta ndajmë barrën së bashku. Unë shpresoj që të jemi në gjendje të rezistojmë. Jemi prej 6 muajsh në bashkëpunim me qeverinë italiane. Ne nuk do të hapim kufirin, s’kemi arsye ta bëjmë këtë gjë, sepse nuk kemi as kushtet, as fuqinë dhe as delirin që mund të shpëtojmë botën.
(er.nu/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: