Sistemi i ri i rekrutimit të punonjësve të Policisë së Burgjeve ka kaluar në një faqe të re, mjaft të rëndësishme. Në mjediset e Akademisë së Sigurisë në Tiranë ka nisur procesi i testimit për pranimin e punonjësve të rolit bazë të Institucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale (IEVP) në Republikën e Shqipërisë.

Testimi po organizohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë, bazuar në një marrëveshje midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.

Procesi ka nisur me testimin me shkrim, ku kanë marrë pjesë 1393 kandidatë që kishin depozituar më parë dokumentacionin e duhur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Procesi do të zgjasë gjashtë ditë, nga data 3 deri më 9 prill, ku pas daljes së rezultateve së konkursit me shkrim, kandidatët do t’i nënshtrohen testimit fizik.

Menjëherë pas testimit, fituesit do ti nënshtrohen procesit të trajnimit të përqendruar fillestar që do të zhvillohet në Akademinë e Sigurisë.
Reforma në burgje është një ndër prioritet kryesore të punës së Ministrisë së Drejtësisë, si një nga degëzimet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi.

Nëpërmjet sistemit të ri të rekrutimit synohet krijimi i një trupe shërbimi në burgje me integritet moral dhe aftësi profesionale, për të përballuar sfidat e reja që paraqiten, për rritjen e sigurisë në burgje dhe përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të të burgosurve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: