LEZHE- Në 105-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit është zhvilluar sot në qytetin e Lezhës një ceremoni në nderim të uniformave të policisë. Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Edi Rama tha se sot Policia e Shteti është rilindur, pas reformave të ndërmarra që prej vitit 2013.


Më tej, kreu i qeverisë është ndalur tek sfidat me të cilat përballen sot uniformat blu.

“Sfida e policisë është përpjekja për t’u përballur me të keqen. Përzgjedhja në vazhdimësi e njerëzve të duhur është edhe sfida që garanton përballjen e policisë me të keqen jashtë saj, dhe përballjen e policisë me kërcënimin e së keqes brenda saj.; ne jemi krenarë për atë që është bërë në këtë periudhë rilindje të Policisë së Shtetit, pas një situata kaosi dhe braktisje të Policisë së Shtetit para vitit 2013. Gjuha e thatë e rezultateve thotë se në 2017 Shqipëria doli nga harta e vendeve që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike. Në 2017 Shqipëria mbylli një plagë të vjetër, të thellë e cila pati të gjitha ato infeksione që ne njohim. Sot në 2018 Shqipëria nuk ka as Lazarat, dhe as “lazaratër” të shpërndarë në trupin e territorit të saj”, u shpreh kryeministri Rama.

Sakaq, kryeminsitri Rama ka pranuar faktin se disa drejtues policie janë të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Rama tha se 900 ton të trafikuara nuk janë arritur ndonjëherë më në historinë e kësaj beteje.

“Brenda 4 viteve Policia e Shtetit u shndërrua sipas statistikave të nxjerra nga anketimet e BE-së dhe jo sipas opinionit tim nga institucioni më pak i besuar në vend së bashku me gjykatat e prokurorinë në institucioni më të besuar të vendit. E thotë këtë anketimi i BE-së i vitit 2015, i viti 2016 jam i bindur edhe ai i 2017. E gjitha kjo nuk do të thotë se problemet e nxjerra në pah, se situatat e vështira e identifikuara dhe se kritikat ndaj punës së policisë janë pa bazë. Nuk do të thonë se policia e shtetit ka qenë e paprekur nga korruptimi deri në nivele të larta, nuk do të thotë se drejtues të policisë nuk janë përfshirë në aktivitet kriminale me trafikantët e drogës”, deklaroi Rama.

FJALA E PLOTE E KRYEMINISTRIT RAMA
“Duhet pra, të qërohen të tillë oficerë dhe të mësohet puna e xhandarmërisë dhe e policisë në duar të ndershme dhe të stërvitura, të zgjidhni xhandarë dhe policë me kujdes të madh dhe të një rregulli të shtrënguar!” Këtë porosi e jepte Kryeministri Ismail Qemali në 13 janar të vitit 1913, në ditën e themelimit të policisë shqiptare, sot e 105 vjet më parë, si institucioni i parë i formuar pas shpalljes së Pavarësisë dhe themelimit të të parit shtet sovran të Shqipërisë.

E pra, sot vijmë këtu, në këtë moment jubilar për Policinë e Shtetit, pas një rrugëtimi prej 105 vjetësh dhe porosia e parë e të parit Kryeministër të historisë së shtetit shqiptar tingëllon aktuale dhe duket si preambula e procesit të Vetting-ut në Policinë e Shtetit. Çka do të thotë se sfida e madhe që e shoqëron Policinë e Shtetit është po ajo, ka qenë dhe do të jetë po ajo, sfida për t’u përballur nga njëra anë, me të keqen në shoqëri dhe me të gjithë ata që kërcënojnë bashkëjetesën shoqërore duke shkelur ligjin dhe nga ana tjetër, me të keqen brenda vetes, e cila është një kërcënim i vazhdueshëm i çdo organizmi dhe patjetër, edhe i një organizmi kaq të rëndësishëm për shtetin, siç është Policia e Shtetit.

Shkolla e Policisë, e hapur për herë të parë në kohën e Zogut, edhe ajo eci në një rrugëtim me zig-zage dhe sot është një Akademi e rilindur, për të qenë baza e ambicies së të ardhmes, një burim prej ku në vazhdimësi rigjenerohet gjaku i Policisë së Shtetit, duke promovuar jo vetëm vajza dhe djem të rinj dhe të aftë për të shërbyer në radhët e policisë, por edhe një kalim stafetash në funksion të rritjes së cilësisë së veprimtarisë së Policisë së Shtetit përballë rritjes së kompleksitetit të sfidave të saj. E pra, përzgjedhja në vazhdimësi e njerëzve të duhur është dhe sfida, e cila garanton të dyja sfidat, atë të përballjes së Policisë me të keqen jashtë saj dhe atë të përballjes së Policisë me të keqen brenda saj.

Ne jemi shumë krenarë sot, për gjithçka është bërë në këtë periudhë rilindjeje të Policisë së Shtetit, pas asaj situate kaosi dhe braktisjeje të vitit 2013. Po ashtu jemi krenarë që mund të flasim me gjuhën e thatë të rezultateve, përtej opinioneve që kemi dhe natyrisht që të gjithë kanë jo gjithmonë të njëjta për këtë rilindje të Policisë së Shtetit.

Gjuha e thatë e rezultateve thotë që në vitin 2017, Shqipëria doli nga harta e vendeve që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike. Në vitin 2017, Shqipëria mbylli një plagë të vjetër, të thellë, e cila pati të gjitha ato infeksione që ne njohim. Sot, në 2018-ën, Shqipëria nuk ka as Lazarat, as lazaratër të shpërndarë në trupin e territorit të saj.

Në vitin 2017, Policia hoqi nga duart e organizatave kriminale mbi 40 milionë euro pasuri. Ndërkohë që 4 vite më parë, kjo shifër nuk kalonte 1 milionë euro.

Në vitin 2017, Policia e Shtetit garantoi numrin më të ulët të vrasjeve në historinë e statistikave pas vitit 1990; Ndodhën vetëm 50 vrasje. Nuk është një shifër shumë e ulët, por është minimumi historik i 27 viteve dhe patjetër që është një shifër më pak sesa gjysma e 107 vrasjeve të ndodhura në 2013-ën, apo e 126 vrasjeve të ndodhura në 2012-ën. Është një shifër vrasjesh më e ulët, sesa shifra e njërit prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ku flitet shumë për krimin shqiptar.

Numri i aksidenteve në vitin 2017 është edhe ai më ulëti i 27 viteve.

Numri i të arrestuarve për trafikimin apo kultivimin e bimëve narkotike është shumëfishuar.

Vetëm në vitet 2015- 2016 janë arrestuar për kultivim dhe trafikim të bimëve narkotike më shumë sesa në të gjitha vitet e mëparshme, të marra së bashku, përfshirë dhe dy dekadat kur nga Shqipëria trafikoheshin 900 ton lëndë narkotike vetëm nga krahina autonome e drogës në Lazarat. 900 ton të trafikuara nuk janë arritur ndonjëherë më në historinë e kësaj beteje me kultivuesit dhe trafikuesit e lëndëve narkotike në harkun e një viti.

Brenda 4 viteve, Policia e Shtetit u shndërrua sipas statistikave të nxjerra nga anketimet e Bashkimit Europian dhe jo sipas opinionit tim, nga institucioni më pak i besuar në vend, sëbashku me gjykatën dhe prokurorinë, në institucionin më të besueshëm të vendit. E thotë këtë anketimi i Bashkimit Europian i vitit 2015, e thotë anketimi i vitit 2016. Jam i bindur, do ta presim në pranverë, do ta thotë këtë edhe anketimi i vitit 2017.

Të gjitha këto nuk duan të thonë aspak se problemet e nxjerra në pah, se situatat e vështira të identifikuara dhe se kritikat e bëra ndaj punës të Policisë së Shtetit janë pa bazë. Të gjitha këto nuk duan të thonë se në këto 4 vite, Policia e Shtetit ka qenë e imunizuar dhe e paprekur nga korruptimi deri në nivele të larta të saj. Të gjitha këto nuk duan të thonë se drejtues të Policisë së Shtetit nuk janë përfshirë në veprimtari kriminale, në bashkëpunim me trafikantët e drogës. Të gjitha këto nuk duan të thonë se spastrimi i Policisë së Shtetit është një proces i përfunduar me shkarkimet dhe ndjekjet penale, administrative, të ndodhura gjatë 4 viteve të fundit, që janë më të lartat, jo në raportin vit me vit, por në raportin 4 vjet me 20 vjet të tjera. Në asnjë mënyrë jo! Të gjitha këto duan të thonë se ne jemi absolutisht të sigurt, bazuar në gjuhën e thatë të rezultateve, që edhe spastrimin e domosdoshëm, jetik, për ta kthyer Policinë e Shtetit, jo në një polici shumë më të mirë se ajo që kishim 4 vjet më parë, por në një Polici po aq të mirë sa mesatarja e Bashkimit Europian, mund dhe do ta realizojmë me sukses të plotë.

Prandaj dhe brenda 100 ditëve të para të këtij mandati, ne kemi përfunduar edhe hartimin e bazës ligjore dhe po kryejmë procesin e konsultimit publik, për të transformuar pastaj në ligj në Kuvendin e Shqipërisë, Vetting-un në Policinë e Shtetit. Ky është një proces që do të nisë së shpejti dhe është për ne, po aq i rëndësishme sa Vetting-u që ka filluar në institucionet e drejtësisë, pasi krimi nuk mund të luftohet me prokurorë dhe gjykatës të korruptuar, por nuk mund të luftohet as edhe me drejtorë, shefa komisariatesh, apo policë të korruptuar. Një proces i tillë do të bëjë të mundur largimin e të gjithë drejtuesve dhe efektivëve të përfshirë në veprimtari kriminale, apo me burime të pajustifikuara të pasurisë së akumuluar në këto vite.

Kjo do të jetë baza e mandatit tonë të dytë dhe garancia se në fund të këtij mandati, ne do t’u themi shqiptarëve, por dhe partnerëve tanë, me krenari: Kjo është Policia e Republikës së Shqipërisë, një Polici e standardeve të Bashkimit Europian.

Të gjitha rezultatet në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, rezultate të një lufte që guxuam ta hapim ne, të cilën e zhvilluam vendosmërisht ne dhe në të cilën korrëm shumë fitore, por morëm sigurisht, edhe kosto të pamerituara për ata që në këtë luftë u përfshinë ndershmërisht, por si rezultat i atyre që të përfshirë në këtë luftë u përfshinë në veprimtari kriminale, nuk do të thotë se e konsiderojmë një tërësi rezultatesh për ta quajtur të mbyllur betejën, pasi kemi mbaruar vetëm njërën fazë të betejës, garantimin e territorit të Republikës së Shqipërisë, ku nuk ka për t’u mbjellë më kanabis. Por ama duhet të vazhdojmë me fazën e dytë të luftës, deri në fund, ndaj përfituesve prej kësaj veprimtarie kriminale, cilëtdo qofshin, kudo qofshin dhe ndaj të gjitha aseteve të tyre të patundshme apo financiare.

Kjo është dhe arsyeja e operacionit “Forca e Ligjit”, një operacion madhor kundër grupeve kriminale, për një çrrënjosje jo të bimëve, por të të gjithë trungut të kësaj veprimtarie të organizuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo është dhe arsyeja pse unë nuk gjej dot arsye në sulmet që i bëhen qoftë dhe idesë së këtij operacioni madhor, që për fat të mirë nuk është një operacion i izoluar i Policisë së Shtetit, por është një operacion ndërkombëtar, ku janë përfshirë të gjithë partnerët e Shqipërisë, jo sepse ne jemi të paaftë për të bërë këtë betejë, por sepse kjo betejë nuk është një betejë e kufizuar brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë. Ashtu sikundër dhe beteja kundër trafikantëve dhe trafiqeve të paligjshme nuk është një betejë e qeverisë së Shqipërisë me shqiptarët keqbërës, por duhet të jetë një betejë e të gjithëve sëbashku me keqbërësit shqiptarë, me keqbërësit italianë, me keqbërësit holandezë, me keqbërësit britanikë dhe me të gjithë llojet e keqbërësve, sepse kemi një krim të organizuar ndërkombëtar, që do një përgjigje ndërkombëtarisht të organizuar.

Lufta me krimin e organizuar nuk është fillimi dhe fundi i misionit të Policisë së Shtetit, sepse qytetarët kanë nevojë për Policinë e Shtetit, jo për t’u mbrojtur thjesht dhe vetëm nga pasojat që sjell veprimtaria kriminale, kanë nevojë për Policinë e Shtetit për të qenë të barabartë përpara ligjit, për të shfrytëzuar hapësirat e bashkëjetesës, qoftë hapësirat urbane të bashkëjetesës, qoftë hapësirat në biznes, qoftë hapësirat në të gjitha fushat e tjera të veprimtarisë shoqërore, pa qenë të cenuar nga ata që shkelin ligjin, për të pasur garanci në pronën e tyre dhe në të gjithë harkun e veprimtarisë së tyre në shoqëri.

Në këtë aspekt është bërë shumë për të transformuar Policinë Rrugore, por mbetet ende shumë për të bërë dhe asnjëherë nuk do mund t’i shohim me 100% të bindjes në sy shqiptarët dhe t’u themi se kjo është Policia Rrugore që duam, për sa kohë do vazhdojmë të kemi postblloqe policie rrugëve, që i ndalojnë njerëzit sipas qejfit. Momenti kur ne do të mund dhe do t’i shohim shqiptarët në sy, të bindur se mund t’u themi, ja Policia Rrugore e Shqipërisë europiane, do të jetë momenti kur shqiptarët të mos shohin më policë rrugëve, si rojë që ndalojnë njerëzit te gardhi i fermës. Këtë sigurisht jemi në rrugë për ta bërë, pasi do të modernizojmë të gjithë sistemin e monitorimit të rrugëve kombëtare, do t’ia lëmë teknologjisë të bëjë punën që deri më sot, prej kaq shumë vitesh e kanë bërë policët e shpërndarë rrugëve. Do të rrisim nga ana tjetër, prezencën dhe cilësinë e punës së policisë në komunitet, një model policimi që vjen si rrjedhojë e natyrshme edhe e transformimeve demografike, edhe e rritjes së intensitetit të ndërveprimeve brendapërbrenda komuniteteve dhe të qytetarit me shtetin dhe që është patjetër edhe një model i suksesshëm policimi në botën të cilës ne duam t’i bashkohemi.

Të gjallëve u mbeten vetëm dy mënyra për t’u përballur me martirët, t’i lënë ata në harresë, ose të formojnë rreth tyre një mit që nuk mund të shuhet kurrë. Zgjidhja e mesme nuk ekziston. Harresa sigurisht paguhet me përsëritjen e mëkateve, ndërsa vlera e mitit të martirëve është tek motivimi i vazhdueshëm i gjeneratave të tjera. Nuk e them unë këtë. E thotë një shkrimtar i madh, Albert Kamy dhe besoj që ndërtimi i një policie të pakorruptuar dhe të pakorruputeshme, profesionale dhe në shërbim të pandërprerë ndaj qytetarit, është i lidhur pazgjidhshmërisht me nderimin e vazhdueshëm, jo vetëm ceremonial, por praktik, çdo ditë, përmes kujdesit të drejtpërdrejtë për familjet e të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës; 259 qysh prej vitit 1990.

Besoj që rruga e nisur në këtë drejtim është rruga e mbarë, por ka çdo ditë, diçka për të bërë për fëmijën e një komisari të vrarë, për vajzën studente, apo djalin që sapo ka mbaruar shkollën të një efektivi të vrarë, për gruan e ve të një kolegu tuajin nën uniformë që ende nuk ka punë e kështu me radhë. Ashtu sikundër, patjetër, këtë nuk mund të rri pa e përmendur sot: Armiku më i madh i policisë nuk është krimi, por vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes, nga shtypja, apo mungesa e vëmendjes për të dëgjuar dhe kuptuar problemet e efektivëve të policisë. Nuk e kam thënë unë. E ka thënë një tjetër mendimtar i madh, përveçse shkrimtar i njohur, Milan Kundera, një njeri që e ka njohur nga afër edhe këtë fenomen për të cilin flet dhe e ka provuar në lëkurën e tij.

E pra, armiku më i madh i policisë vazhdon të mbetet sot, braktisja e saj nga një pjesë e atyre që kanë përpara një mikrofon, kanë përpara një kamera dhe aksesin në mikrofon e në kamera e përdorin për ta goditur Policinë e Shtetit, për ta demotivuar Policinë e Shtetit, për ta baltosur Policinë e Shtetit, në emër të një lufte politike që në fakt nuk ka asnjë lidhje me kundërshtarin politik, saç ka lidhje me një armiqësi të mirëfilltë, të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, kjo ka pak rëndësi, si rezultat i mungesës së plotë të përgjegjësisë në trajtimin e problematikave me të cilat përballet sot, Policia e Shtetit dhe të vetë problematikave të brendshme të Policisë së Shtetit.

Sidoqoftë, ne do të vazhdojmë vendosmërisht rrugën tonë. U jemi borxh të gjithë atyre që qysh prej ditës së lindjes së Policisë së Shtetit patën një vizion për si duhet të jetë dhe bënë çka mundën që ta çojnë drejt realizmit të atij vizioni. Siç u jemi borxh të gjithë atyre që dhanë jetën në radhët e Policisë së Shtetit, siç u jemi borxh të gjithë atyre që sot kontribuojnë në Policinë e Shtetit, duke filluar nga forcat që janë në vijën e parë të luftës me krimin, prindër, të cilët largohen në mëngjes nga shtëpia, përqafojnë fëmijët e tyre dhe shkojnë në punë duke marrë në konsideratë edhe vënien në rrezik të vetë jetës dhe siç u kemi borxh të gjithë atyre vajzave e djemve që konkurrojnë për të hyrë në Akademinë e Sigurisë dhe ëndërrojnë të bëhen pjesë e Policisë që të gjithë duam.

Në rrugën e gjatë që kemi përpara kemi motivimin e rezultateve të mëdha që kemi arritur, por kemi dhe pasurinë e madhe të eksperiencës prej gabimeve të bëra. Kush punon, gabon! Kush lufton, nuk mundet vetëm të fitojë, por edhe humbet! Dallimin në funksion të së ardhmes e bën vetëm një gjë, vetëdija për gabimet, eksperienca nga humbjet dhe vendosmëria për të mos përsëritur të njëjtat gabime dhe për të mos humbur për të njëjtat arsye. Ne, ju siguroj, kemi aftësinë për ta bërë këtë dallim dhe mbi këtë dallim do të ngremë më tutje ngrehinën europiane të Policisë që duam.

Me shumë nderim për të gjithë, me një falënderim të veçantë për të gjithë ju që jeni në këmbë dhe që, përveç erës së Lezhës, që sa herë fryn kaq fort, më bën ta kuptoj dhe më mirë, pse Skënderbeu vendosi t’i mbledhë këtu në Lezhë të gjithë princat, patët fatkeqësinë që duhet të duronit dhe fjalimin tim të gjatë, ju shpreh gjithë respektin të gjithë atyre që kanë dhënë, japin, apo janë sot në bankat e shkollës me ëndrrën për të dhënë kontribut për këtë trupë që është jetike për Shqipërinë që duam!

(el.sp/BalkanWeb)