NGA Dorjana BEZAT

DURRES- Telefonatat e përgjuara prej muajit shkurt e deri në qershor me persona të ndryshëm, kanë qenë provat e pakundërshtueshme që kanë gozhduar punonjësin e policisë Haki Dyli.

60-vjeçari me detyrë shërbimi për sigurinë e godinës së Gjykatës së Durrësit merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve pa dijeninë e këtyre të fundit, duke mashtruar qytetarët dhe duke u premtuar se çështja gjyqësore do të zgjidhej në favor të tyre.

Përgjimet kanë nisur në muajin shkurt që kur është regjistruar procedimi penal ndaj tij. Në përgjimet e kryera janë transkiptuar thirrje telefonike që Dyli ka kryer me disa persona, një pjesë e të cilëve ishin emigrant në Itali.

Dyli prezantohej si ndërmjetës dhe u premtonte se do t’i ndihmonte në procesin e tyre gjyqësor kundrejt pagesave që shkonin deri në 2 mijë euro. Në disa raste Dyli u mundësonte qytetarëve që pagesat t’i kryenin me këste.

Punonjësi i policisë Haki Dyli u ndalua së bashku me 40-vjeçarin Devis Qana me profesion avokat. Ata pritet të dalin në gjykatën e Durrësit ku do të njihen me masën e sigurisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb