TIRANE- Përkujtohet sot në Tiranë 27-vjetori i rënies së komunizmit. Në konferencën “Ju flet radio…” të organizuar në kuadër të kësaj date, 20 shkurt, ish-kreu i Partisë Demokratike ka treguar se studentët 27 vite më parë treguan qëndrueshmëri dhe kurajo.

Teksa tha se rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës ishte ngjarja më kulmore e fundit të diktaturës, ai tha se studentët që kërkuan rrëzimin e tij u arrestuan. Ai tha se diktatura komuniste e Ramiz Alisë vrau dhe burgosi shqiptarët deri ditën e fundit.

“Diktatura e dytë ishte ajo e mjerimit e ndërtuar qëllimisht nga diktatori Enver Hoxha, por diktatura e tretë ishte kulti i individit. Sot është jashtë imagjinate ajo periudhë e errët”, u shpreh ai.

Ai tha se rrëzimi i kultit të Enver Hoxhës ishte qëllimi kryesor i lëvizjes antikomuniste, ndaj mjediset universitare u kërkua të zbrazeshin nga bustet dhe fotot e diktatorit.

“Lëvizja studentore u mbështet nga sindikatat dhe qytetarët. Atë ditë Ramiz Alia dha urdhër në një mbledhje ushtarake që të qëllohej mbi protestuesit. Kjo është e vërteta, që urdhëri u dha, por mbetet në meritën e atyre që nuk qëlluan mbi qytetarët”, tha Berisha.

Ai tha se Neritan Ceka shmangu një gjakderdhje, kur bindi protestuesit, që të mos shkonin drejt Bllokut të zbrazur të udhëheqjes komuniste.

Qytetarët ishin të vendosur të rrëzonin kultin e diktatorit Enver Hoxha dhe e arritën këtë, tha ai.
Berisha tha se qëllimi kryesor i Partisë Demokratike është lufta kundër kultit të Enver Hoxhës.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm veprimtarë e protagonistë të ngjarjeve të viteve ’90, historianë e politikanë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb