Nga ALFRED BUALOTI*

Nuk do të kisha marrë mundimin të shkruaja, pasi sado të vërteta të thuash, ato shpesh bien në honin e harresës, por nuk munda të rezistoj pa reaguar kundrejt cinizmit, mashtrimit dhe paturpësisë së titullarit të Teatrit Kombëtar, i cili në intervistën e dhënë për gazetën “Panorama” të dt. 15 janar 2015 na e bën situatën aktuale të institucionit që drejton, nga e zezë në të bardhë, duke përmendur edhe emrin tim.

Ndoshta opinioni e di që pas 35 vjetësh në teatër, apo 42 vjetësh të karrierës artistike, ky punëdhënës e ndërpreu kontratën e punës me mua duke më larguar nga teatri. Nuk po përmend motivin qesharak të tij, pasi cilido që të ishte, nuk mund ta përligjte largimin tim. Por alternativa ultimative e hakmarrjes së tij primitive “o unë, o ti këtu” padyshim bëri që të fitojë monstruoziteti i veshur me pushtet. Si çdo qytetar i këtij vendi i jam drejtuar gjykatës, e cila më dha të drejtën, duke e detyruar institucionin e shtetit që drejton ky punëdhënës kapriçoz e primitiv, të paguajë në favorin tim një numër të konsiderueshëm pagash. E kam shkruajtur në krye të herës që nuk doja të reagoja, por cinizmi i tij, që gjoja unë e paskam derën hapur në teatër e mund të kthehem, vjen jo vetëm nga karakteri i tij, por edhe nga situata mjerane që ka Teatri Kombëtar aktualisht.

E kush mund t’i hajë apo besojë të tilla maskarada, përveç se atyre që llakangjosen me të, apo atyre që e gatuan bashkë me të largimin tim. Sidoqoftë, të jenë të qetë, pasi unë nuk do të kthehesha kurrë në atë ambient neveritës sa kohë që drejtohet nga të tillë njerëz.

Gjithkush duhet ta dijë që është vetë punëdhënësi i TK-së, ai që përzgjedh pjesët, që emëron regjisorët apo “platformat e tyre”, që përpilon kontratat e artistëve, që propozon “Bordin e Teatrit” e sigurisht, që ndan rolet me regjisorët që i ka emëruar vetë, e së fundmi “Bordi i çuditshëm” vetëm sa i aprovon apo i firmos thagmat e tij. Bile ky soj bordi nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për gjithçka që ndodh në teatër, apo çka është më e rëndësishmja, ai s’do të dijë as për nivelin boll të ulët të shfaqjeve të fundit të repertorit të teatrit, “të aprovuara nga ai vetë”. Çfarë është ky soj institucioni, që titullari sillet si një padron e mund të bëjë çfarë të dojë me të e me cilindo?
Në këto kohë, nga informacionet e gatuara në interes të punëdhënësit të teatrit lihet përshtypja sikur në atë institucion çdo gjë lulëzon dhe vetëm dy probleme na ekzistokan: ai i 90 përqindëshit të biletave dhe godina e teatrit, të cilët pengokan për ta rreshtuar atë në “teatër konkurrues me Europën”.

Po si është e mundur që vizioni substancial e estetik në drejtimin e një Teatri Kombëtar të banalizohet në këtë farë derexheje? Si mund t’u rikthehesh do çështjeve të stërvjetra për t’i servirur si gjetje?! Ky paskësh qenë vizionari i përzgjedhur për të drejtuar TK-në me lajtmotivin “o sot, o kurrë”.

90%-i i biletave
Që në vitin 1992, me përfaqësinë e Teatrit Kombëtar të përbërë nga unë, R.Ndrenika. I.Bezhani e Sh.Hysa në zyrën e z. G.Ruli, ministër i Financave atëkohë, u fitua 90% i biletave të shitura për administrimin nga vetë teatri. Kjo vazhdoi për do kohë, por si çdo gjë jo transparente në këtë vend, kur vjen puna e administrimit të parave, e sidomos nga titullarët, degjeneroi deri sa nuk ekzistoi më. Nga ana tjetër, kjo i hapi rrugë gjetjes së alternativave të tjera nëpërmjet elementëve të marketingut për të përthithur fonde në plotësimin e nevojave të teatrit. Por çfarë është bërë në këtë drejtim, gjë prej gjëje. E përderisa nuk dinë gjë tjetër, i kthehen vitit 1992 e që ndoshta me të mund edhe të manovrojnë ndonjë çikëz sipas qejfit. Sa i takon godinës, ajo u ezaurua si problem që në vitin 2000 e ndoshta i paska ardhur momenti “fatlum” për t’u prishur më në fund e për të ndërtuar një teatër të ri me parametrat e kohës.

Por, le t’i kthehemi “lulëzimit” aktual të institucionit. Para së gjithash, dua të shpreh keq-ardhjen time për marrëdhënien banale e demagogjike që krijoi teatri me leximin e dramës shqipe, duke i kthyer ato në “skema amatoreske” e në këtë mënyrë u çoroditën edhe ato vlera që ndoshta veprat mbartnin në vetvete. Por në fund të fundit çfarë doli nga kjo? Na paskësh qenë më e përshtatshmja për nivelin e Teatrit Kombëtar, një material dramaturgjik me strukturë të viteve ’50-të, saqë “bordi-drejtor” na kish rënë me të në dashuri dhe e aprovoi sa hap e mbyll sytë.

Ka mjaft praktika të mira edhe në traditën tonë, edhe në atë të fqinjëve për të mos shkuar më tutje, se si mund të përthithen veprat më të mira të autorëve tanë e sidomos krijimi i marrëdhënies së dramaturgut me teatrin dhe laboratorin e tij. Ky është një tjetër çelës i garantimit të suksesit, e jo t’i servirësh opinionit me gjoja zënien e artistëve me punë, fabulën “u mbars mali…”.

NIVELI I SHFAQJEVE
Në vazhdën e kësaj butaforie, punëdhënësi i TK-së flet për suksesin e premierave të fundit të tij, edhe pse kritika e vërtetë, qoftë edhe ajo e dashamirësve të teatrit, i ka batërdisur ato si mos më keq. Kjo është një çështje që nuk i intereson shumë atij. Për të është e rëndësishme numri i biletave të shitura.

Sa qesharake… të mos preokupohesh maksimalisht apo mos shqetësohesh për misionin substancial të teatrit. Të gjithë në Teatrin Kombëtar, para së gjithash duhet të preokupohen seriozisht për të përcjellë në spektator mendimin estetik avanguardist nëpërmjet nivelit më të lartë të shfaqjeve të tij, e jo t’i servirim atij shije që nuk hahen as me vaj e as me uthull. Po përse po ndodh kështu në teatër? Në vend të një atmosfere artistike, disipline e mirëkuptimi, harmonie e respekti, tashmë “në atë oborr siç thoshim dikur” ka mbirë terrori e urrejtja. Nuk ka si shpjegohet që të mos debatohet me artistët, kritikën apo gazetarët qoftë edhe me spektatorin dashamirës, hapur për nivelin e shfaqjeve dhe mendimin estetik të tyre. Kjo do të sillte jo vetëm përgjegjësinë e secilit, por reflektimin se “ç’po bëjmë” e si mund të përballemi me artin e kohës, jo më larg se sa me fqinjët tanë.

Nga ana tjetër, edhe ajo pak ndjenjë humane që ekzistonte dikur në atë mjedis, është zëvendësuar nga një mëri dhe egoizëm i pa shoq. Vitet kaluan e disa nga kolegët tanë të nderuar dolën në pension si: B. Lako, A.Pasha, M.Kabashi dhe E.Janushi, por a mos vallë u kujtua dikush për një ceremoni sado të thjeshtë, qoftë për të pirë edhe një kafe së bashku? Dikush do të thoshte se artistët e vërtetë nuk kanë pension. Ashtu është vërtet, por nga pikëpamja njerëzore, institucionale, kjo duhet të ndodhte me domosdo. Në të kundërt, ne nuk mund të quhemi shoqëri homo-sapiens.
Nuk ka si shpjegohet që së fundmi, largimi i parakohshëm nga kjo jetë, i dy prej kolegëve tanë të mrekullueshëm, F.Sela e F.Kujofsa nuk pranuan të hyjnë më në atë oborr, qoftë edhe të vdekur. Është e rëndë, por shpesh të vërtetat të tilla janë.

Rolet (Ndrenika e Zhusti)
Ne duhet t’i shikojmë ato në sy e të reflektojmë, e jo të këpusim lloj-lloj broçkullash sikur aktualisht “puna në institucion shkoka sahat”, siç shprehet titullari e se sëmundja e papritur e të dashurit Ndrenika e detyroi atë të shtyjë premierën, apo ndryshojë repertorin bile me lejen e bordit, siç vrapoi të shprehet ai paturpësisht.

Në radhë të parë, R.Ndrenika nuk kishte rolin kryesor në veprën e Molierit “Tartufi”. Roli i tij duhet të kishte dublant nga brenda trupës së teatrit, pasi për natyrën e rolit, si dhe për shumë arsye të tjera, kjo ishte krejt e mundur. Por, jo vetëm që kjo s’ishte bërë, por aktualisht e vërteta është se dy rolet kryesore, në atë të Tartufit dhe të Desadit, te premiera tjetër “Vdekja e Maratit” do të luhen nga aktori V.Zhusti, i cili është jashtë teatrit dhe pa dublant. Sigurisht që nuk do të mund të luheshin dot dy role kryesore në të njëjtën kohë nga aktori në fjalë, e për pasojë, erdhi një moment që katrahura e gatuar nga titullari duhej zgjidhur. Dhe zgjidhja u gjet; jo “Tartufi”, por “Marati”. E kjo është boll e qartë për ta kuptuar përse. Ndërsa përsa i takon znj. Bitri, ish-studentes time, ajo nuk ka veçse një rol të vogël femre e aspak rol protagonisteje në veprën “Vdekja e Maratit”, siç shprehet titullari. Por çudirat vazhdojnë në mënyrë të hatashme, titullari na bëri edhe një “sakrificë tjetër” për hir të teatrit. Ai shtyu pjesën e tij, të cilën do ta punonte brenda këtij sezoni dhe iu kthye aktrimit duke deklaruar se do të luajë edhe unë një rol tek “Vdekja e Maratit”, pasi ajo ka shumë personazhe. Bukur, veç nuk na thotë se çfarë roli do të luajë. Na del se punëdhënësi do të luajë rolin qendror, atë të Maratit. Pak si për të qeshur, por e vërtetë. Edhe pse kjo nuk ka qenë e paraparë nga regjisori, “arti i aktrimit të titullarit” e ka magjepsur atë duke sfiduar aktorë të tjerë të trupës, të cilët do të mund ta luanin Maratin më së miri. Në këtë situatë të gatimit të punëve në teatër “si sahat”, i uroj punëdhënësit të teatrit ta ketë të fortë zemrekun, se një zot e di se çfarë thagmash të tjera do të shohim.

Konventa Europiane
Për hir të së vërtetës, TK prej do kohësh ka qenë anëtar i Konventës Europiane të Teatrit E.T.C. një nga organizmat më prestigjiozë europianë në fushën e teatrit. (ETC, www.etc-cte.org), rrjeti udhëheqës i teatrove publikë të Europës. Ajo ka më shumë se 40 teatro dhe festivale në Europë midis anëtarëve të saj. E.T.C. është një organizatë pan-europiane e teatrove publike, gjithë-përfshirëse dhe dinamike. ETC prezantohet si një zëdhënëse e anëtarëve të saj. Si e tillë, ajo paraqet dhe mbron projektet e tyre të përbashkëta artistike dhe strategjike në nivel evropian dhe mbështet për të forcuar pozicionin e tyre ndaj institucioneve të BE. Duke ruajtur marrëdhënie të forta me grupet e interesit në Bruksel, ajo ofron një qasje të privilegjuar dhe të ne-vojshme, si të njihen kërkesat dhe proceset e fondeve evropiane.

Por ç’ndodhi me ardhjen e titullarit të ri, vizionar të teatrit? U ndërpre anëtarësimi me këtë organizatë dhe siç shprehet edhe ai vetë, na gjen një tjetër organizëm N.E.T.A. që në shqip do të ishte “Aksioni teatror në Europën e re”. Pra, largohet nga Europa për t’u bërë pjesë e një organizmi periferik apo më shkoqur, ballkanik siç na ka dhe hije. Meqë kam qenë së bashku me Dh. Orgockën, ndër the-meluesit firmëtarë të NETW-s në Tivar të Malit të Zi që nga viti 2002 dhe e njoh më së miri këtë organizatë, them se është një lajthitje e formimit dhe mendësisë të titullarit të TK këmbimi i ETC me NETA.

Jo më larg se muaji maj i këtij viti, Teatri Kombëtar i Kosovës, si anëtar i ETC, organizon nën patronazhin e këtij Festivalin Ndërkombëtar Europian të Teatrit. Dhe ja logoja e festivalit në Kosovë: ETC International Theatre Festival by National Theatre Kosovo May 18-24, 2015.
Ndërsa punëdhënësi i TK sapo shkeli në atë institucion, u largua nga ETC dhe problemet e vizionit të tij për teatrin ishin: kaldaja e institucionit, 90%-i i biletave si dhe së fundmi, godina e teatrit që me siguri po pret t’i “legalizohet”. Ndër kohë që në teatrot jo më larg se të fqinjëve tanë, gëlojnë regjisorët e huaj më në zë, workshopet, festivalet, mysafirët e shumë të trupave të huaja teatrore, të cilat shkëmbejnë apo dhurojnë eksperiencat e artin e tyre jo vetëm për njëri-tjetrin, por në radhë të parë për spektatorin. Kurse në teatrot tanë e veçanërisht në atë Kombëtar, jo vetëm që s’flitet për gjëra të tilla, porse siç shprehet titullari, janë akoma në kërkim të njëçkë regjisori të huaj, e ky për vitin e ardhshëm. Sa bukur…ne matemi me hijen e tonë, pra më shkoqur: integrohemi me vetveten. Një plak i mençur malësor do të thoshte: “Ja pashi hajrin e ja nishi lezetin”.

*Alfred Bualoti, aktor, regjisor.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb