Nga: Fatmira Nikolli*

Dukuri të shoqërisë shqiptare, të medias, të politikës e më gjerë, thënë shkurt në një libër që sjell këndvështrime të ftohta. “Ndërhyrjet e zotit Shyti”(Botimet Dudaj) të Ardian Vehbiut, i kthejnë sytë nga jeta e përditshme dhe debatet e përditshme të shoqërisë shqiptare, te kultura e mungesa e saj, te shteti e mungesa e tij, te njeriu dhe te mungesa e tij. Në hapje, tregohet se si nisi udhëtimi i zotit Shyti, këtij personazhi që rrëfen ditë pas dite “ndodhitë e tij”, duke nxjerrë në pah ndodhitë tona, e mbase çuditë tona, e mbase dhimbjet tona, mbase edhe humbjet e dështimet tona. Tematikat që ai trajton janë të ndryshme dhe enden mes emrash e çështjesh të ndryshme, duke nisur me: tabunë seksuale, gjestin e Nënë Terezës te varri i Enver Hoxhës, dijen dhe intelektin, çështjet e mbajtjes së trupit në formë dhe mëkatarëve, lindjen e kapitalizmit letrar dhe roleve të këmbyeshme mes shkrimtarit e lexuesit, një “debat” për një roman mbi një marrëdhënie incestuale, një koment për zhvillimet politike hipotetike, për këngëtaret që kanë zë të bukur (e që jo doemos duhet të jenë të bukura), ndalet te toleranca fetare e shqiptarëve, mandej inskenimet lebetitëse dhe një ndalesë te çështja LGBT, një vështrim mbi higjienën intime kombëtare, një qasje ndaj përgjimeve të shtetit apo të spiunazhit, për qortimet e bëra diku në inboks, diç e vogël për Luftën e Parë Botërore, në vijim janë: përgojimet, letërsia shqipe në Perëndim, një qasje ndaj lidhjeve të krimit dhe kulturës, shtetin e mbikëqyrjes dhe kamerave, një koment mbi/për ata që vranë të atin-Enverin mbasi e kishin adhuruar, për sozitë në politikë, e jo vetëm.
Ka edhe një ndalesë të shkurtër në kohët, “kur botimi atëherë duhej të kalonte nëpër shumë filtra dhe postblloqe, të cilësisë dhe censurës, ku verifikoheshin drejtshkrimi dhe drejtqëndrimi dhe hetohej impakti i mundshëm i librit ndaj të mbjellave dhe të korrave ideologjike dhe rrezikshmëria e tij për lexuesin dhe/ose autorin vetë që mund të përfundonte si padashur në orizore”. Zoti Shyti udhëton në mesin tonë, duke dhënë një pamje të asaj çfarë jemi pa na përkëdhelur, edhe pse Vehbiu i ka vënë gjithë këto vëzhgime në gojën e një të moshuari. Libri do të prezantohet për publikun ditën e shtunë, më 7 maj, në orën 11:00, në mjediset e “Dada Bar”, rruga “Brigada e VIII”.
SI LINDI Z.SHYTI?
Autori ka vënë edhe një “sqarim” për lindjen e zotit Shyti, një sqarim që vjen mes humorit dhe është si vijon: “Si lindi ky grupi juaj, e pyeti një gazetar zotin Shyti, gjatë një interviste in loco për televizionin privat SYZA; si erdhën punët që e themeluat? Jua rrëfej unë, me kusht që të më besoni, tha z. Shyti. Një miku im, njeri i shkëlqyer dhe publicist edhe më i shkëlqyer, po bënte një reportazh për kafetë e Tiranës dhe më kërkoi që, në bashkëpunim me dy-tre tipa të tjerë të zgjedhur prej tij por që unë nuk i njihja, të hiqeshim sikur bënim muhabet para kësaj kafeje ku jemi edhe sot, teksa ai filmonte skena incidentale për reportazhin”, shkruan Vehbiu, duke vijuar më tej se “Ashtu bëmë: u mblodhëm bashkë të gjithë ne të zgjedhurit me kritere kryesisht fotozhenike, iu prezantuam shoku-shokut dhe bëmë sikur filluam një gjoja muhabet, me tundje kokash, ndezje të ndërsjella cigaresh dhe pantomimë rrethanore. Dhe aq u zbavitëm nga kjo, sa e vazhduam performancën edhe pasi ishin fikur kamerat, ishin shpërndarë kureshtarët dhe miku im ishte larguar tashmë, së bashku me ekipin e xhirimit”.
AUTORI
Vetë Vehbiu, në hapje të librit shkruan “Dy fjalë lexuesit”, ku sqaron zanafillën e këtij libri, ndërtimin e tij dhe më tej. “Qoftë edhe vetëm dhjetë vjet më parë, ky libër do të kish qenë për mua i pakonceptueshëm. Jo për nga ndërtimi, sepse letërsisë nuk i mungojnë personazhet burra në moshë të shtyrë, të rrethuar nga miq, nxënës e ndjekës, që flasin mbarë e mbrapsht për çështjet e ditës dhe ato të përjetshmet; së paku që nga Sokrati i dialogëve të Platonit e këtej”, thotë ai. Mandej, ai vijon: “Por për nga formati: doja t’i shkruaja këto fragmente, që përkohësisht i quaja aforizma narrative, pa e ditur ende se çfarë ishin; dhe më pas e kuptova se kisha krijuar një nga ato emisione që, në televizionin amerikan i quajnë situational comedies, ose sit-coms; dhe të cilat i mban të lidhura bashkë vijueshmëria e personazhit dhe e skenës”. Ai vëren se e kishte “personazhin tashmë, zotin Shyti, si një kompozitë të nxjerrë nga kujtimet e mia; veç më duhej ta vija në sfidë me të gjitha ato enigma, çudi dhe paradokse të jetës sonë të përditshme, në epokën e internetit, të rrjeteve sociale, të politikës televizive dhe të krizës së komunikimit publik tradicional”. Ai tregon se shkurtësia e këtyre iu imponua njëfarësoj nga vëmendja e reduktuar e përdoruesve të sotëm të uebit, të prirur ndaj kolazhit, pranëvënies dhe metonimisë; paçka se uebi vetë na ka vënë të gjithëve në dispozicion, si kurrë ndonjëherë, krejt dijen e përbotshme. “Z. Shyti i vjen lexuesit në një kohë kur të gjithëve na është lejuar të hyjmë në Bibliotekën e Babelit, paçka se jemi me pishtarë në duar dhe herët a vonë do t’ia vëmë zjarrin, kushedi duke u djegur atje edhe vetë, si minjtë. Por ndërkohë na mbetet ende leximi; një nga të paktat gjëra që ende nuk na e kanë marrë, as uzurpuar, as privatizuar”, – shënon te “Dy fjalë lexuesit” Vehbiu. “Prandaj do t’i lutesha lexuesit, që të mos ia shihte të gjitha njëherësh episodet këtij sit-com-i që ka në duar; por ta shfletojë pak nga pak, të racionuar, të pikësuar nga ngjarje të tjera, nga libra të tjerë dhe nga ato pauza aq të nevojshme që na duhen për ta soditur botën dhe për të menduar. Vizitorët e faqes sime në ‘Facebook’ do të mbajnë mend, ndërkohë, disa prej pjesëve; edhe pse tani do t’i gjejnë në kontekstin e tyre të natyrshëm të serisë që u jepet, nëpërmjet këtij libri, e plotë. Si tekste të mëparshme të miat në lëmin e fiction-it, përfshi këtu ’66 rrëfimet e Maks Gjerazit’, edhe ky ka natyrë eksperimentale dhe kërkon të zgjerojë kufijtë, shpesh artificialë dhe tanimë të vjetruar, të prozës letrare shqipe; por e ardhmja e këtij libri, sikurse e çdo eksperimenti letrar të njëmendtë, do të varet tashmë nga ju si lexues. Mua si autor s’më mbetet veç të pres reagimin e zotit Shyti, që edhe ai doemos nuk do të vonojë”, shkruan ai në New-York, në mars 2016.

Pjesë nga libri
Z. SHYTI HAP NJË PARANTEZË HISTORIKE

Ra fjala te dëshira e sotme e shqiptarit për Enver Hoxhën, si alternativë a kundërfigurë ndaj gjithçkaje qesharake dhe të neveritshme te pushtetarët e “demokracisë” dhe aty e pyetën z. Shyti pse kjo përmallje irracionale ndaj një diktatori të pamëshirshëm dhe persekutuesi të kundërshtarëve dhe deri të shokëve të vet të armëve ose kolegëve në krim; dhe këtu z. Shyti e paskësh pasur përgjigjen gati, pas gjase të ruajtur nga biseda të tjera të mëparshme. Tha se tek një udhëheqës, shqiptari çmon arbitraritetin jo besnikërinë, meqë besnikëria është virtyt tek qehajai, ndërsa tek i pari i vendit përfundon në eufemizëm për frikën; prandaj edhe Ramiz Alinë nuk e deshi kush pasi doli në krye, edhe pse e lëvduan për urtësinë dhe maturinë, sepse ky mbeti i burgosur i sistemit që kish ngritur mentori dhe tutori i vet madje edhe duke u mburrur për këtë, ndërsa Enveri drejtonte duke ndenjur jashtë sistemit, sepse vetëm ashtu mund të ishte lider dhe të manifestohej jo si konformim ndaj parimeve por si mundësi për t’i shkelur ato në çdo kohë dhe pa paralajmërim. Nuk thonë kot për dikë vërtet në pushtet, përsiati z. Shyti, se “të ka në dorë”; dhe unë kur e dëgjoj këtë shprehje më kujtohet që kinezët e quanin Maon “timonier”, dhe timonieri nuk është veç ai që i qëndron besnik kursit të anijes, por edhe ai që ka aq guxim sa ta ndë rrojë këtë kurs, po t’i dalë përpara ajsbergu; është ai që “ka në dorë” timonin, dhe bashkë me timonin edhe fatet e anijes dhe të anijetarëve; ndërsa shqiptari i tanishëm e sheh këtë timon të lidhur me zinxhirët e ligjeve dhe të domosdoshmë rive historike; sikurse i sheh timonierët që emërohen në bazë të gatishmërisë për të respektuar vullnetin e zinxhirit – dhe i shkon mendja, si të mos i shkojë, tek Enveri që zinxhirët ua vinte të tjerëve, jo vetes.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: