KUKES- Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana ka vendosur të mos hedhë firmën e tij mbi vendimin e marrë nga Bashkia e Hasit për të shpallur “Qytetar Nderi” Gafur Mazrekun, ish-zyrtarin socialist atje dhe ish-deputetin që plagosi në vitin 1997 në Parlament Azem Hajdarin.

Duket se vendimi i sapo njoftuar nga Prefekti i Kukësit do të mbyllë një ngjarje që merrte përmasat e një skandali, ku një person e dënuar me burg nderohej me këtë titull të lartë nga Bashkia e Hasit.

“Ky vendim bie ndesh me ligjin 112 viti 2013 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, neni 17 pika 6”,- thotë ai.

VENDIMI I BASHKISE SE HASIT
“BalkanWeb” ka mundur të sigurojë edhe vendimin me të cilin Bashkia e Hasit propozonte shpalljen “Qytetar Nderi” të Gafur Mazrekut, ndonëse të shumta ishin pikëpyetjet se si një njeri i dënuar me burg mund të merrte një vlerësim të tillë.
vendimi keshilli bashkiak Has
Aty shkruhej ndër të tjera se ai duhet të dekorohet për “kontributin e dhënë në ushtrimin e detyrës së besuar nga populli i tij për pushtetin vendor, kontribut i përçuar jo vetëm për popullin e zonës së tij, por për mbarë popullin e Hasit”.

Ndërsa motivacioni i dhënies së këtij titulli është: “Personalitet intelektual, për kontributin e pashoq në pushtetin vendor”. Projekt vendimi mbante firmën e kryebashkiakut Adem Lala por edhe të juristes e një eksperti në arsim.

KUSH ISHTE GAFURR MAZREKU
Gafurr Mazreku ka qenë kryetar i Partisë Socialiste në Has dhe deputet në Kuvendin Popullor në zgjedhjet e ’97-ës. Po në këtë vit, pas një debati në Parlament me deputetin Azem Hajdari, Mazreku qëllon mbi këtë të fundit pesë herë me pistoletë. Pas këtij atentati, ai u arrestua dhe gjykata e dënoi me 12 vite burg.

Sjellja e mirë dhe amnistitë e herëpashershme, e ulën dënimin për Mazrekun, i cili lirohet në vitin 2001, tre vjet pasi ishte dënuar. Në pranverën e vitit 2002 zgjidhet unanimisht kryetar i PS-së Has, por zgjedhja e tij refuzohet nga Komisioni i Garancive Statusore.

Në vjeshtën e vitit 2003 fiton postin e kryetarit të komunës Fajzë, në një bastion të PD-së. Në vitin 2005 ai ndahet nga jeta pas një infarkti.

REAGIMET
Vetë kryebashkiaku i Hasit, Adem Lala një ditë më parë tha se nuk e kuptonte pse bëhej gjithë ky debat, ndërsa e cilësoi Gafur Mazrekun një figurë të nderuar për të gjithë zonën dhe me kontribut të jashtëzakonshëm. Nga ana tjetër akuza të forta u ngritën nga deputetët e PD-së. Po ashtu vetë kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk kishte dhënë miratimin për një çështje të tillë dhe se do t’i kërkonte Prefektit të Kukësit të mos hidhte firmën mbi një vendim të tillë. I fortë ishte edhe reagimi i Presidencës, që e cilësoi vendimin një provokim të panevojshëm.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb