BRUKSEL- Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili ndodhet për një vizitë në Bruksel, takoi Komisionerin për Migrimin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramolupos. Komisioneri përgëzoi Ministrinë e Brendshme për masat e marra dhe rezultatet e arritura deri tani në luftën kundër kultivimit të kanabisit, menaxhimit të integruar të kufijve me synim frenimin e migracionit të parregullt dhe azilkërkimit të paligjshëm, luftën kundër krimit të organizuar. Avramolupos inkurajoi që ky standard të vijojë edhe në të ardhmen, për të siguruar qëndrueshmëri në rezultate.
24740843_369258430166666_1242568254_n
“Zhvillova një takim me Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë dhe një mik i mirë, me të cilin biseduam mbi të gjitha çështjet e lidhura me perspektivën europiane të Shqipërisë. Shqipëria është një faktor i rëndësishëm stabiliteti për mbarë rajonin. Një fqinj i mirë i vendit nga i cili unë vij dhe, në të ardhmen, anëtar i familjes europiane. Ndodhemi sot këtu për të punuar së bashku, në mënyrë që të kapërcejmë të gjitha çështjet dhe kërkesat që kërkohen për t’i hapur Shqipërisë dyert drejt Bashkimit Europian. Dhe ne jemi shumë të angazhuar të rrisim dhe thellojmë bashkëpunimin tonë, në mënyrë që të arrijmë këtë moment. Ndaj sërish ju uroj mirëseardhjen, Z. Ministër! Jam i sigurt se do të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer në të ardhmen në të gjitha nivelet. Unë do të vijoj të mbështes dhe të jem krah Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Mirë se vini!”, tha Komisioneri Avramopoulos.

Ndërkohë, ministri Xhafaj pohoi se komisioneri është një mbështetës i madh i aspiratave të popullit shqiptar.

“Ishte një kënaqësi e veçantë takimi me Komisionerin Avramolupos, sepse para së gjithash takova një mik shumë të mirë të Shqipërisë, i cili ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme për shqiptarët në çështjet e integrimit të tyre. Komisioneri është një mbështetës i madh i aspiratave të popullit shqiptar, të vendit tim drejt integrimit të mëtejshëm në Bashkimin Europian, por njëkohësisht është një mbështetës shumë i rëndësishëm për ne lidhur me çështjet e sigurisë dhe rendit publik në Shqipëri. Unë shpresoj dhe besoj që nën kujdesin e tij, me mbështetjen e tij, ne do të bëjmë hapa të rëndësishëm që kanë të bëjnë me çështjet e luftës ndaj krimit të organizuar, trajtimit të çështjeve të emigracionit të paligjshëm dhe një sërë çështjesh të tjera që na preokupojnë në rrugën tonë në integrimin në Bashkimin Europian. Unë shpresoj dhe besoj dhe kjo është një ftesë që dëshiroj t’ia bëj publikisht Komisionerit, që ai shumë shpejt të ketë mundësi të jetë në Tiranë për t’u njohur me rezultatet e gjithë këtij procesi dhe njëkohësisht me hapat e mëtejshëm që ne duam të hedhim në këto fusha të rëndësishme. Komisioneri Avramopulos: Pikat kryesore të diskutimit tonë gjatë takimit të sotëm ishin sigurisht emigracioni, kriza e refugjatëve, lufta jonë e përbashkët kundër terrorizmit, radikalizimit, dhe kundër krimit të organizuar. Dhe siç e thashë më parë, Shqipëria do të ketë mbështetjen tonë të plotë dhe do të kem kënaqësinë që të vizitoj Tiranën shumë shpejt.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb