TIRANE- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se ndërmjetësi i miliona eurove të kapura në dy makina në portin e Durrësit është Taulant Balla, duke përforcuar kështu akuzat e bëra të enjten nga foltorja e Parlamentit. Sipas tij, tanimë është lënë kanabisi dhe ka filluar kokaina dhe heroina si dhe pastrimi i parave për të ndërtuar kulla.

Kreu demokrat tha se ka qenë sinjalizimi i një prej vendeve partnere skeptike ndaj Shqipërisë për çeljen e negociatave, që ka dhënë alarmin për shumën e parave.

“Taulant Balla kishte marrëveshje për të garantuar hyrjen e këtyre parave në Shqipëri. Policia shqiptare ka qenë nën presionin e një prej partnerëve tanë për të vepruar, është një nga vendet partnere skeptike”, tha Basha.

I pyetur nëse po shkohet drejt bojkotit të parlamentit nga ana e opozitës, kreu i PD tha se nuk ka lidhje me drogën dhe Ballën, duke vijuar deklaratën për eurot e sekuestruara në Portin e Durrësit.

“Ç’lidhje ka kjo me drogën e Taulant Ballës? Qëndrojmë tek droga dhe krimi. Është dekonspiruar plani i Taulant Ballës dhe i strukturave brenda policisë dhe Parlamentit për të çuar deri në fund këtë bashkëpunim mids bandave të Elbasanit. Kemi një ministër të brendshëm që del e shëtit më kalë sepse e ka liruar Edi Rama dhe tani kemi kryetarin e grupit parlamentar të PS që merret me pastrimin e parave të drogës. Kanë kaluar tek heroina e kokaina dhe pastrimi i parave të pista. 1 500 mijë euro është marrëveshja dhe Taulant Balla ka hyrë garant. Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e një personi që sot duhet të ishte para drejtësisë. Cfarë e lidh Saimir Tahirin, Xhafajn, Ballën dhe Veliajn? I lidh Edi Rama për të ndërtuar kulla me para të pista. Kjo është gjëma që sot BE, vendos që Shqipëria nuk i ka përmbushur kushte”, u shpreh Basha.

Kreu i PD deklaroi se pesë banda kriminale dhe 5 oligarkë kontrollojnë gjithë ekonominë. Ai theksoi se mund të merret me anën politike të problemit dhe s’mund të bëjë policinë dhe prokurorinë.

“Biznesi i vogël dhe i mesëm është në kolaps, profesionistët janë në arrati, mediat janë të kapura, rinia është e pashpresë.
Ky është treguesi. Unë merrem me anën politike. Unë e kuptoj dhe dëshirën për të bërë anën policore dhe prokurorinë, sepse policia dhe prokuroria kanë përfunduar atje ku ka përfunduar por këtë s’mund ta bëj unë. Këtë mund ta bëjë shteti që do ndërtojmë bashkë me shqiptarët nesër. Sot merrem me anën politike. Ana politike është kjo: kanë kaluar nga kanabisi i Saimir Tahirit tek kokaina e heroina e Xhafajt me shok tek pastrimi i parave të drogës nga sekretari i PS-së dhe kryetari i grupit parlamentar”, tha Xhafaj.
Ai shtroi disa pyetje që sipas tij kërkojnë përgjigje.
“Ku do shkojnë këto para? Këtë pyetje duhet të bëni sot, ku do shkojnë këto para përveç se tek kullat e Erion Velisë. Ku tjetër do shkojnë këto para të drogës. Sa biznese do shkatërrojnë, sa vende pune do mbyllin, sa viktima do të shkaktojnë, sa shqiptarë do largojnë nga vendi për sa kohë do t’ia mbajmë të mbyllura dyert Europës. Këto janë pyetjet që duhet të na mundojnë dhe për të cilat duhet të gjejmë zgjidhje dhe përgjigje”, u shpreh kreu i PD.

(m.k/BalkanWeb)