BERAT- Ikona “Mbledhja e Kryeëngjëjve”, me autor Kostandin Zografin u restaurua nga Laboratori i Restaurimit të Veprave të Artit e Beratit, i cili vazhdon punën për nxjerrjen në dritë të thesareve të lëna në harresë.

Ikona me numër kartele 91, dimesione: 96.5 x 60.5 x 3.5 cm është marrë nga kisha e “Shën Kollit”, në Vanaj të Fierit.

Specialistët e artit ndërhynë në konservimin dhe restaurimin e ikonës, konkretisht në konsolidimin e grundit, fiksimin e pelikulit të ngjyrës dhe pastrimin e sipërfaqes së pikturës me shumë kujdes duke mos rrezikuar dëmtimin e ngjyrave dhe humbjen e vlerave origjinale të ikonës.

Sipas DRKK-së, Berat, puna do të vazhdojë me zbulimin e veprave të tjera nga fondi i ateljesë ku specialistët e artit janë duke përgatitur projektet e reja restauruese.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, Berat ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit ,duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për vizion ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore./ATA/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb