TIRANE- Analisti dhe ish-ministri, Besnik Mustafaj ka thënë se kryeministri nuk duhet të flasë në ‘gojën e ujqërve’ në lidhje me çështjen e vëllait të ministrit Fatmir Xhafaj, pasi këtë duhet ta bëjë Prokuroria. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Mustafaj tha se është për t’u çuditur fakti se si arriti të kalojë në Rinas Agron Xhafaj i denuar me 7 vite e 2 muaj burg nga drejtësia italiane për trafik droge dhe të vetëdorëzohet tek autoritetet italiane.


“Kryeministri nuk ka të drejtë të flasë në gojë të ujqërve, sepse duhet të flasë Prokuroria. Është për t’u çuditur si kaloi në aeroportin e Rinasit Agron Xhafaj? Si e la policia, pasi ai edhe në letër thotë që nuk ka rritur të marrë as vizë. Rama po e mbron Xhafajn me arrogancë dhe pa argumente. Mesa dimë ne konfiskimi i materialit të audio-përgjimit është bërë dy ditë më parë dhe nga i mori Rama provat dhe kur pati kohë laboratori ta nxjerrë vërtetësinë ose jo te audio-përgjimit”- tha ish ministri, raporton BalkanWeb.

Besnik Mustafaj tha se Prokuroria duhet të zbardhë nëse audio-përgjimi është autentik apo jo dhe se deklaratat e Ramës se do të çojë në burg tre demokratët që publikuan materialin, pasi audio përgjimi është jo autentik janë të rrezikshme.

“Prokuroria duhet të zbardhë nëse audio-përgjimi është autentik apo jo. Nuk vendos politika nëse kjo kasetë është autentike apo jo. Gjysma e akuzave ndaj Xhafajt janë të provuara edhe nga Agron Xhafaj dhe gjysma tjetër pritet të provohet. Deklaratat e Ramës se unë do ju çoj në burg janë të rrezikshme pasi do t’i mbyllë gojën opozitës”- tha Mustafaj.

Besnik Mustafaj u shpreh se opozita e ka për detyrë të informojë opinionin ndërkombëtar dhe se Rama kërkon të t’i mbyllë gojën.

“Opozita e ka për detyrë të informojë opinionin ndërkombëtar dhe partnerët për zhvillimet që ndodhin. Nuk mund të mendohet se opozita pengesë për negociatat, pasi opozita po bën detyrën e saj dhe kjo do ndodhë me të gjitha opozitat. Shqetësuese është shantazhi që i bën Rama opozitës. Rama kërkon t’u mbyllë gojën denoncuesve”- tha Mustafaj.

(d.d/BalkanWeb)

Etiketa: