TIRANE- Ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ka folur sot mbi hetimet për privatizimin e CEZ dhe dëshminë e tij në Prokurori. Në emisionin “Studio e hapur” me Eni Vasilin në “News24”, Ruli tha se procesi i nisur së fundmi për këtë çështje i iniciuar politikisht.

Kujtojmë se disa ditë më parë, Ruli u paraqit në Prokurorinë e Tiranës, për të dhënë shpjegime për aferën CEZ.

Në studion e “News24”, Ruli do të flasë edhe për reformën në drejtësi, si dhe raportin me Bashën e Berishën.

Sa i takon çështjes CEZ, kujtojmë se dosja u mbajt për afro dy vite në duar nga prokuroria e Tiranës dhe në përfundim firmosi për pushimin e çështjes.

Pak javë më parë, gjykata vendosi ta shfuqizojë vendimin e organit të akuzës dhe ta kthejë sërish çështjen për hetim, duke lënë detyra konkrete për grupin hetimor.

Në këtë kuadër, krahas marrjes së dëshmisë së Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Berisha, prokurorët e panë të nevojshme të thërrasin për sqarime edhe ish-ministrin Ruli, emri i të cilit u përmend nga dëshmitari Romeo Kara.

Veprimet hetimore për këtë çështje, po zhvillohen në sekret të plotë dhe larg vëmendjes së medias, e kjo duket nga fakti se prokuroria po shfrytëzon orët e vona të mbrëmjeve, me shpresën për të hedhur dritë mbi aferën korruptive.

INTERVISTA
Për çështjen e CEZ, prokuroria ka thirrur edhe ish-ministrin Ruli. Mund të na thoni ndonjë detaj çfarë thatë atje?
Në parimin e drejtësisë që bëhet nuk më lejohet të flas detaje më tepër. Por mund të them se i përmbahem argumentit tim në lidhej me këtë çështje. Nëse ka një çështje CEZ që çohet në formë akuze, duhet të kemi parasysh kronikën , nuk është një reagim i partisë Socialiste që për faktin se konstaton gabime bën detyrën dhe denoncon rastin. Por KLSH e cilëson këtë një dëm të madh financiar, apo edhe se nuk janë mbrojtur interesat e shtetit. Por ata e rritën borxhin shumë herë më shumë, me pretendimin se trashëguan borxhe. KLSH pas hetimin ngre këtë akuzë, pas disa ditësh ke një kundërgoditje, ku Ministria e Industrisë dhe Energjetikës akuzon se privatizimi i CEZ ka qenë i keq, jo mbyllja. Të dyja çështjet u kaluan nga Prokuroria në Gjykatën e Lartë, e cila për secilin rast mori vendimin që për të dyja rastet nuk shihte vepra penale. Pastaj ka një rihapje që bëhet, për të hetuar si u mbyll marrëveshja, Komisioni Spaho, dhe më pas ngrihet një tjetër çështje për CEZ, nga Komisioni Balla. Dhe u kërkua të hetohen disa persona, unë nuk isha në listën e këtyre personave, por Prokuroria për historikun e gjithë kësaj historie e pa të arsyeshme që unë të jepja dëshminë time. Pretendohet se privatizimi i CEZ u bë nën influenca favorizuese nga disa ndërmjetës. Por historia është krejt ndryshe. Privatizimi i CEZ është tepër i suksesshëm i cilësuar i tillë edhe nga tre institucionet që nga shoqëruar gjatë gjithë procesit.

Qëndrojmë tek dëshmia juaj, dhe më pas ndalemi tek çështja CEZ…
Unë kam një vlerë të veçantë kur dëshmoj për këto fakte. Pasi është një procedurë që ka zgjatur dy vite e gjysmë. DI si është realizuar dhe konkluduar, apo kush kanë qenë aktorët.

Ka të reja në dëshminë tuaj?
Nuk ka të reja, të njëjtat gjëra kam dëshmuar. Tek një hetim nuk mund të kesh paragjykim, të thuash besoj apo jo. Është një proces i iniciuar politikisht.

A është proces politik apo vetëm i iniciuar politikisht?
Është herët për ta thënë këtë.

Mazhoranca ka akuzuar se nga privatizimi i OSHEE shtetit i është shkaktuar një dëm i madh. Si i përgjigjeni këtyre akuzave?
I jam përgjigjur. Nuk dua të rri të flas sa herë flet një kryetar qeverie. Unë jam përgjigjur në komision hetimor. Janë shifra të fryra, të sajuara.

Kohët kanë ndryshuar tani po kërkohen peshq të mëdhenj? Do ishit ju një peshk i madh?
Le të kenë ndryshuar. Peshq, balena, çfarë të duan. Nuk i njoh shumë peshqit, përveç dallimit që mëson nga kurioziteti fëminor, pra që dallon balenën nga cironka.

Cili ka qenë roli i Berishës në këtë çështje e privatizimit të CEZ?
Berisha ka qene këmbëngulësi dhe iniciatori i privatizimit dhe kërkonte që të bëhej kjo procedurë. Procesi ka qenë shumë intensiv, që nga fillesa, kur qeveria më autorizoi mua si ministër. Berisha ka qenë iniciatori, këmbëngulësi, e ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme këtë proces. Qoftë nga raportimet e mia, apo qoftë nga instancat e tjera.

Ka pasur ndërhyrje nga ai?
Në asnjë rast ska pasur. Jo vetëm për CEZ. Në atë kohë janë kryer 4 privatizime. Dhe ai ska pasur asnjë rast

I biri i tij, Shkëlezi është thirrur në prokurri. Ai e ka cilësuar sulm politik, ndërsa ju jo. Si e
shihni këtë gjë?

Unë jam njeri politik. jam mësuar me sulme politike. Më kollaj fle me armiqësinë sesa me miqësinë. Zoti Berisha, i vogli i sheh këto më me emocion sesa i shoh unë. Sulm politik është kur konkludohet vendimi politik. jam përfolur për të sqaruar pozicionin tim. Një shoku im që u kap në arratisje më pyetën edhe mua.

Po fakti që jeni mësuar, nuk e zhbën…
Eh për hë është hetim dhe më mirë është që të më pyesin sesa kur dalin karafilat dhe ‘sqarojnë’ gjithçka.

Si i keni marrëdhëniet me Bashën dhe Berishën?
Unë para zgjedhje parlamentare kam thënë këtu në “News24”, se nuk do të kandidoja më. Ka qenë një vendim i marrë me herët. Sot PD e shoh të dobët. Nuk ka vizion.

Pse është e dobët?
Në mënyrë alegorike, është si puna e lojtarëve që gjuajnë topin, por nuk e ndjekin për të bërë gol. Ka një problematikë nga rrezatimi që ka bërë Berisha. Basha si të thuash nuk është se ka një fluks të madh dritë për të krijuar shumë karizëm. Ai kryetar është, por puna është sa je lider. Kam patur gjithmonë shpresën se ndoshta një kërcim aq i papritur nga numër dy apo tre në vendin e parë. Një njëri duhet të përgatitet.

Cili është raporti juaj me Berishën?
Përderisa jam larguar nga politika nuk kam më raporte. Ai është një personaliet i PD. Në qeverisje kemi patur edhe raporte të debatit apo konfliktit. Tashme takohemi rastësisht dhe politika nuk hyn më mes nesh.

Çfarë emri do t’i vinit marrëdhënies tuaj me Berishën?
Marrëdhënie tipike politike, pro pak atipike për kulturën politike shqiptare. Sot jemi mësuar me servilizma. Por unë nuk kam patur marrëdhënie vasiliteti, ndoshta edhe nga karakteri im. Në politikë nuk ka miqësi, por ka nevojë reciproke. Edhe Berisha ka respektuar të gjitha kompetencat dhe staturën time si ministër, edhe unë kam patur qëndrimin tim korrekt ndaj tij.

(el.sp/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb