Nga: Eno BARJAMI


Nëse mendove se bëhet fjalë për pasuri e famë, sapo bëre një gabim në gjykim!


Në fakt, është gabimi më normal (mua për vete m’u deshën ca vite ta kuptoja), pasi SUKSESI mbetet një nga termat më të keqkuptuara, sidomos këto kohët e fundit. Kjo vlen edhe për vendet e Bashkimit Evropian, pasi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë studiuar konceptin e SUKSESIT prej shekujsh. Prandaj, SUKSESI paragjykohet ose ne rastin me ‘ideal’ ngatërrohet rëndom me PASURINË MATERIALE, rritjet në detyrë, llogarinë bankare, promovimin, emrin, famën etj. Dhe kjo ndodh pasi rrallë herë na shkon ndërmend se cila është realisht ‘baza’ e SUKSESIT.


Pra: Para = (*baza) Pasuri = i Pasur
Ndërsa: Sukses = (*baza) ??? = i Suksesshëm

Nëse kërkojmë kuptimin e fjalës ‘SUKSES’ do të gjejmë se nuk kemi të bëjmë me PASURI MATERIALE por, në parim, vetëm me PËRMBUSHJE QËLLIMESH.

“Suksesi është përmbushja progresive e një qëllimi ose ideali”, thotë Earl Nightingale, një ndër studiuesit me të shquar botëror të konceptit të suksesit.

Kjo na bën të kuptojmë se ‘i suksesshëm’ mund të bëhet apo quhet kushdo që ia ka dalë të ndihet apo të jetë i ‘përmbushur në qëllimin’ e tij apo të saj.

Kaq e thjeshte qenka?! Me sa duket, PO!

Pra, nuk paska një sasi parash apo aftësish të caktuara, që ti të quhesh i suksesshëm. Madje, një gjë e tillë nuk matet as nga sa i famshëm je. Që te mos keqkuptohemi: paratë apo fama, jo se janë të kundërtat e suksesit, por ato në vetvete nuk janë baza e tij. Ato mund të jenë pjesë e suksesit tënd vetëm nëse ky është modeli i përmbushjes së qëllimeve që ti ke përzgjedhur.

Nëse bën para=bën para

Nëse flet bukur=flet bukur

Nëse punon mirë=punon mirë

…Por pa qëllimin e përmbushjes, pasja e parave, aftësia për të folur bukur dhe vullneti për të punuar mirë nuk përbëjnë suksesin, nëse nuk janë në funksion të ‘përmbushjes së qëllimit’.

Nëse supozojmë se je një student, mjek, polic, sanitar, vullnetar, kërcimtar, mësues, gazetar, inxhinier etj, madje dhe i pa punë, por që në vetvete ke përmbushur me ‘sukses qëllimet’ e tua, je mirë me veten, ndihesh i plotësuar, pëlqen atë që bën, pavarësisht ulje-ngritjeve, por duke e ditur se si je, duke njohur kuptimin për veten dhe në shoqërinë ku jeton, dhe jeta jote shkon ashtu siç duhet për ty, (pavarësisht rrethanave dhe etiketimeve rrotull)….atëherë çfarë je?
Je dukshëm i SUKSESSHËM. Pse?
Sepse ke gjetur veten, ke përmbushur qëllimet dhe ke arritur rezultatet që pret në atë që bën.

Pra baza e suksesit është jesh i përmbushur dhe të jesh vetvetja dhe nuk lidhet direkt me përcaktimet që vendosin të tjerët…Kaq! Ti e vendos. Ti e di qëllimin tënd, standardin tënd, dhe modelin tënd. Askush tjetër më mire se ty nuk mund ta dijë.

Si përfundim, për të qenë i SUKSESSHËM
nuk ka aq rëndësi se çfarë ti ke,
as edhe se çfarë ti thua apo se çfarë ti bën.
Më e rëndësishmja është ajo ÇFARË TI JE.

Ajo qe duhet kuptuar është:
Puno me veten dhe kështu ke ndërtuar bazën tënde për ‘themele’ më të forta drejt SUKSEVE të reja. Kështu nëse do, tashmë mund t’i arrish.

Me sa u tha më sipër, në vend të urimit “Ju uroj suksese!” vlen më saktë të urohet : “Zgjidhni të jeni të suksesshëm!”
(BalkanWeb)

Etiketa: