LEZHE- Në ceremoninë e zhvilluar në qytetin e Lezhës ditën e sotme me rastin e 105-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit, Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me dekoratën e “Artë të Shqiponjës” ish-drejtuesin e ndjerë të Policisë, Sokol Baraj.

Ish-zëvendësministri i Brendshëm Sokol Baraj u nda nga jeta një vit më parë si pasojë e një ataku në zemër.

Dekorata i është dorëzuar ditën e sotme djalit dhe bashkëshortes së të ndjerit. Para të pranishmëve, djali i Sokol Barajt mbajti një fjalim të ndjerë për të atin dhe kontributin e tij në Policinë e Shtetit.
dzsgsdg
“Ndihem shumë i privilegjuar të jem këtu sot dhe të pranoj këtë dekoratë në emër të babait tim i cili nuk jeton më, dhe ka lënë pas një boshllëk jashtëzakonisht shumë të madh. Megjithëse kjo dhimbje kaq e madhe s’është e lehtë të kalohet, por çdo vlerësim nga ana juaj e bën më të lehtë, dhe është një ngushëllim që unë e vlerësoj jashtë mase.

Arritjet profesionale të babait tim unë i kam kuptuar në një moshë pak të madhe, pasi ai nuk fliste shpesh për arritjet e tij. Nuk shprehej, nuk tregonte si drejtues por si një nëpunës i thjeshtë duke filluar që nga baza e deri në majë të piramidës, ndërtimin dhe reformimin e policisë që ne njohim sot. Dhe pavarësisht se nga viti ‘97 deri tani ai u la në harresë, pavarësisht vështirësive që ka kaluar gjatë gjithë atyre viteve, unë e vlerësoj këtë dekoratë dhe falënderoj zotin Xhafaj që e propozoi, zotin Meta që pranoi që im atë të dekorohej. Ndihem i privilegjuar që jam mes jush e kolegëve të tim ati, kjo është edhe meritë e juaja që i keni qëndruar pranë në një moment të vështirë”, tha djali i ish-drejtuesit të policisë.

Sokol Baraj u nda nga jeta në moshën 53-vjeçare. Ai la gjurmë në historinë e Policisë së Shtetit me punën e tij gjatë periudhës së vështirë të 97-ës, pasi njihet si shkatërruesi i bandave të rrezikshme të vitit 1997.

(el.sp/BalkanWeb)

Etiketa: