Denoncoi zhdukjen e shokut të tij, arrestohet 30-vjeçari nga Peqini. Bëhet fjalë për shtetasin Aleksandër Fadili, i cili më 29 prill ishte bashkë me Fatjon Fejzillarin kur ky i fundit humbi pa lenë gjurmë. Dy shokët kishin shkuar në Laç për të shitur perde, ndërsa 29-vjeçari rezulton i zhdukur prej disa ditësh.

Fatjon Fejzillari ka humbur kontaktet me familjen që në 29 prill, ndërsa denoncimi u bë nga shoku i tij, që sot u arrestua.

Nëna e tij, Fatime Fejzillari ka dyshime të mëdha se i biri, i cili kishte shkuar në Laç për të shitur perde, është grabitur dhe më pas vrarë. Ajo tregoi për ‘News24’ se si e kishte mësuar lajmin për zhdukjen e djalit.

NJOFTIMI I POLICISË
Denoncon humbjen e shokut, arrestohet si autor i dyshuar i zhdukjes së shtetasit të humbur.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 29.04.2018, ku ka humbur kontaktet shtetasi F.F. 30 vjeç, banues në Peqin – Elbasan, ju informojmë se: Nga efektivët e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, pas një pune disa javore hetimore të mirëfilltë, të mirëorganizuar dhe me përdorimin e metodave speciale të hetimit, bazuar në provat shkencore të siguruara u bë ndalimi i shtetasit:
Aleksandër Fadili, 30 vjeç, banues në Peqin – Elbasan ( i cili ka bërë denoncimin e humbjes së shtetasit F.F.), pasi ky shtetas dyshohet si autori i zhdukjes së shtetasit F.F.
Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit si dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen” parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb