Serbia ka anulluar pjesëmarrjen në dialogun teknik Kosovë –Serbi, që parashikohej të mbahej në Bruksel më 13 korrik për të diskutuar për zbatimin e marrëveshjes për energji.

Shefi i ekipit negociator të Kosovës për dialogun, Avni Arifi, ka konfirmuar për KTV-në se pala serbe ka anuluar pjesëmarrjen në këtë takim tre palësh.

“Anullimi i takimit është edhe një dëshmi i radhës dhe dëshmon se Serbia me çdo kusht po insiston të bllokojë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit për energji”, ka thënë Arifi.

Ai ka shtuar se nuk e di arsyen e refuzimit të këtij takimi nga pala serbe, por ka thënë se pala serbe vazhdon të jetë destruktive në dialog.

Në ftesën e BE-së për këtë takim drejtuar të dyja palëve, thuhet se situata aktuale me devijime të përsëritura të frekuencave nga zona e kontrollit të Serbisë dhe Kosovës nuk është e qëndrueshme për stabilitetin e sistemit energjetik të Evropës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb