TIRANE– Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari, ka reaguar pas raportit të publikuar nga Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali. Sipas këtij raporti për vitin 2017, “sasitë më të mëdha të drogës në Itali vijnë nga Shqipëria”.

Përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, deputeti i LSI thotë se ky është “raporti më i tmerrshëm, përsa i përket trafikut të drogës që lidhet me Shqipërinë”.

Sipas tij, përgjegjës për situatën është kryeministri Rama, i cili “mbolli krim dhe drogë në vend”.

REAGIMI I PLOTE
Shqipëria është vendi i origjinës së shumicës së sasive të kanabisit që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane’.
Pohimi vjen nga Drejtoria Qëndrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali, e cila sapo ka publikuar ‘Raportin Vjetor’ në lidhje me vitin 2017.

Raporti më i tmerrshëm, përsa i përket trafikut të drogës që lidhet me Shqipërinë.
Ky raport vërteton dhe njëherë atë çka ne kemi bërë publike prej kohësh që Shqipëria ështe kthyer në furnizuesin kryesor të Europës me drogë, kjo për shkak të një Kryeministri, i cili ka pasur projekt politik kanabizimin e vendit.

Ky kryeministër ka qenë dhe është ideatori dhe frymëzuesi i grupeve kriminale, duke i dhënë garanci shtetërore transportimit të lëndëve narkotike dhe drogërave të forta.

Projekti i tij i qartë politik për të kthyer Shqipërinë në vendin që prodhon dhe eksporton lëndë narkotike është e qartë dhe ne këtë raport, ku sasia e kapur në Itali në vitin 2017 është 90 Ton nga rreth 41 Ton që ishte në vitin 2016.

Ky kryeministër mbolli krim dhe drogë në vend. Kryeministri trafikant i ka nxirë imazhin Shqiperisë në Europe, duke e bërë lajmin kryesor për trafikimin e lëndëve narkotike dhe drogërave forta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb