“Nuk ka asnjë diskutim, Leroi Sane dhe Manuel Nojer do te jenë të gatshëm kundër Arsenalit”, ishin shkrimet që mbizotëronin në mediat pranë Bajern Mynih, në vigjilje të takimit me anglezët, e planifikuar të zhvillohet ditën e nesërme në mitikun “Allianz Arena”.

PORTIERI-Kapiteni Nojer ka influencë të madhe në ekip, jo vetëm në mbrojtjen e katërkëndëshit, por edhe pozitën e liderit. Shpesh herë Kim, Erik Daier dhe Daiot Upamekano e kanë pohuar se prezenca e Nojerit rrit sigurinë edhe në prapavijë, pasi ai është aset. Edhe pse përjetoi dëmtim të rëndë vitin e shkuar, Manuel ka demonstruar paraqitje të nivelit botëror në ndeshje specifike, tregues se reflekset e 38-vjeçarit nuk kanë humbur, pavarësisht moshës.

SULMUESI – Performanca e lartë kundër Arsenalit hodhi poshtë kritikat kundrejt Sanesë, i cili nuk po gjen qetësi prej dëmtimeve të shpeshta. Raportimi i fundit i “Bild” e bën fakt të kryer se Leroi do jetë në gjendje të japë kontributin e tij kundër “topçinjve” në linjat e sulmit. Pikërisht iniciativa e anësorit në minutën e 31’ rezultoi përcaktuese në fitimin e penalltisë, duke i dribluar të gjithë, ndërsa e vetmja mënyrë për të ndalur nga mbrojta e Arsenali rezultoi bllokimi i gabuar. Tabloja në fjalë rrit besimin te trajneri Tuhel dhe tifozët se rekordmenët e Gjermanisë mund ta sigurojnë biletën për në fazën gjysmëfinale të Champions-it.

Pritet që edhe Pavloviçit t’i rezervohen disa minuta, ndërsa Koman e Gnabri e kanë të pamundur, shkak janë komplikacionet fizike që po vuajnë. Me shumë gjasa Matis Tilit do t’i besohet roli i titullarit, ndonëse ekziston mundësia që Myler të mbulojë numrin “10”, ndërsa Musiala dhe Sane do të aktivizohen në krositë ofensive. Ndeshja e parë u mbyll me shifrat e barabarta 2- 2, kurse rregulli i golit në fushë kundërshtare nuk ka asnjë vlerë, ndryshe nga sa ndodhte në edicionet pararendëse.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb