Nga dopieta me Kombëtaren U-21 në ndeshjen ndaj Islandës, te dy gola të tjerë në startin e kampionatit me Luftëtarin. Kristal Abazaj po kalon një moment magjik në këtë fillim sezoni, teksa aktualisht e sheh veten në krye të renditjes së golashënuesve me dy gola në dy javë të luajtura.

I fundit në Laç kishte vlerën e tri pikëve, duke u dhënë fitoren e parë gjirokastritëve. 21-vjeçari i lindur në Tropojë, në një rrëfim ndryshe për “Panorama Sport”, tregon ambiciet që ka, pse qëndroi në Gjirokastër, si dhe numrin e golave që mund të shënojë këtë sezon.

Kristal, keni shënuar katër gola në tri ndeshjet e fundit, të ndarë mes Kombëtares Shpresa dhe Luftëtarit. E mendonit këtë shpërthim?
Jam stërvitur fort për të qenë në këto nivele, pavarësisht se nuk jam ende në 100% të formës sime. Në ndryshim nga sezoni i kaluar, këtë vit e kam nisur si golashënues.

Me këto ritme, duket se do të jeni ju lideri i ri i Luftëtarit…?
Në ekipin tonë ekziston fryma e grupit dhe gjithsecili është në shërbim të njëri-tjetrit. Vlerësimin e drejtuesve të klubit besoj se do ta justifikoj plotësisht.

Sa gola mendoni se mund të shënoni këtë sezon?
Unë premtoj se do të shënoj më shumë se 15 gola për Luftëtarin. Ky është synimi im dhe besoj se do ta realizoj deri në fund.

Sezonin e kaluar ishte Bregu kryegolashënuesi i ekipit, tani mendoni se është radha juaj?
Ka pak rëndësi nëse do të jem unë apo dikush tjetër golashënuesi i Luftëtarit. E rëndësishme është paraqitja e skuadrës.

Prisni një kampionat më të vështirë apo besoni se Luftëtari mund të jetë në nivelin e vitit të kaluar?
Nisur nga forca e grupit, me bindje të plotë them se Luftëtari do të jetë po ai i sezonit të fundit, pse jo edhe më shumë ambicioz. Në merkaton e verës, u përfol shumë largimi juaj.

Çfarë garancie ju kanë dhënë drejtuesit e Luftëtarit për të vazhduar në Gjirokastër?
Kam pasur disa oferta konkrete nga klube të ndryshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndihem i vlerësuar më shumë se kurrë për konsideratën që kanë për mua drejtuesit e Luftëtarit. Unë jam nën kontratë dhe tani është koha që më shumë se dëshirat e të tjerëve, të flas unë në fushën e lojës me vepra.

Ku ndryshojnë ish-trajneri Milinkoviç nga dyshja uruguaiane e stolit, Fernandez dhe Kurbelo?
Milinkoviç ishte shumë serioz në punën që bënte. Ndërsa trajnerët uruguaianë janë shumë më të qeshur dhe të sinqertë. Gjithçka na e bëjnë të thjeshtë në stërvitje përmes komunikimit dhe çiltërsisë që kanë. Ky është një motiv më shumë për ne lojtarët, që të japim 100% në fushë.

Kush lojtar ju frymëzon në futbollin botëror?
Pa dyshim Ronaldo, por jo portugezi. E kam fjalën për fenomenin brazilian. Ishte një lojtar që bënte çudira me topin./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: