Një grup gazetarësh nga vende të ndryshme të BE-së, kanë zhvilluar një vizitë në mjediset e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për tu njohur me zbatimin e projektit për vënien në funksion të Numrit Unik të Emergjencave “112”, në kuadër të investimeve të bëra nga Bashkimi Europian në Shqipëri.

Në këtë vizitë ata u pritën nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe nga përfaqësues të tjerë të kësaj drejtorie. Në vizitën që u zhvillua fillimisht në sallën e numrit të Emergjencave “112”, Shefi i Sektorit të Sallës së Komandimit z. Klodian Bilushi, ka bërë një prezantim të aktivitetit të kësaj salle, investimin e kryer për mirëfunksionimin e saj, numrin e rasteve që trajtohen dhe menaxhimin e thirrjeve.

Në vijim gazetarët janë njohur me investimet e tjera në teknologji në lidhje me sistemet që përdoren nga Policia e Shtetit si Menaxhimi i Çështjes, Kamerat e Trupit dhe Komisariati Dixhital të prezantuara nga Drejtori i Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit Z. Ernest Dimashi dhe Drejtuesi i Misionit PAMECA IV, z. Giorgio Butini.

Gjithashtu gazetarët kanë zhvilluar një diskutim me përfaqësuesit e Policisë, ku është theksuar fakti se tashmë Shqipëria ka një numër të unifikuar të emergjencave, “112”.

Sistemet informatike të instaluara në Sallën e Komandimit kanë sjellë një sërë risish. I gjithë procesi nga marrja e telefonatës deri në raportimin për ngjarjen nga patrulla, kryhet në mënyrë elektronike. Sistemi i ri për thirrjet e emergjencave “112” mundëson shfaqjen e numrit thirrës dhe vendndodhjen e përafërt të telefonuesit. Salla ka mundësi të monitorojë në kohë reale vendndodhjen e patrullave nëpërmjet sistemit “GPS”, pjesë e kamerave të trupit.

Në përfundim të vizitës, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, z.Hodaj ka prezantuar veprimtarinë e kryer për garantimin e sigurisë publike, në ambientet e brendshme të kësaj Drejtorie.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: