TIRANE- Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot kërkesën e Arben Frrokut për rigjykim për shkelje kushtetuese.

Me katër vota pro dhe 2 kundër Kushtetuesja ka vendosur të rrëzojë kërkesën e vëllait të ish-deputetit Mark Frroku i dënuar nga Apeli i Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj në vitin 2013-të.

Siç raporton gazetarja Klodiana Lala për “BalkanWeb” gjykimi për Arben Frrokun u krye në bazë dokumentash dhe në fund trupa prej gjashtë gjyqtarësh doli në konkluzionin se nuk ka asnjë shkelje në gjykimin e tij, duke i hapur rrugë kështu ekstradimit drejt Shqipërisë.

E vetmja rrugë që i mbetet tashmë Frrokut është drejtimi për në Gjykatën e Drejtave të Njeriut në Strasburg, lëvizje të cilën me sa duket po e mendon avokati i tij.

Kujtojmë se Arben Frroku u arrestua në Selanik për vrasjen e komisarit Lamaj, por arriti të fitonte pafajësinë në Gjykatën e Shkallës së Parë në 2015 dhe u arratis nga Shqipëria pikërisht në momentin që çështja ndodhej në Apelin e Krimeve të Rënda.

Kjo gjykatë vendosi të rrëzonte vendimin e Shkallës së Parë dhe ta dënonte atë me burg të përjetshëm. Një vit më vonë në 2016-ën Frroku arrestohet në Holandë atje ku pretendon të fitojë azil me justifikimin që ekstradimi drejt Shqipërisë do ta diskriminonte politikisht.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: