FIER- Babai i Anxhela Meçanit, vajza e cila u dhunua dhe më pas u hodh nga dritarja e një automjeti në lëvizje në Itali, duke i shkaktuar vdekjen, kanë reaguar për ngjarjen e rëndë.

Në një intervistë për gazetarin Evis Kuçi e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Dritan Meçani kërkoi drejtësi dhe zbardhjen e ngjarjes. Mes dhimbjes që i ka pushtuar për humbjen e vajzës së tyre, familja Meçani ka një tjetër hall të madh, pamundësinë për të sjellë trupin e 20-vjeçares nga Italia në Shqipëri.

Po ashtu ai tha se vajza kishte ikur në Itali me një djalë shqiptar dhe më pas atje ishte martuar me një italian.

Babai i vajzës, tregon momentet e dhimbshme se si e kishin marrë vesh lajmin tragjik.

Si e morët vesh vdekjen e vajzës tuaj?
E morëm vesh nga televizioni dhe interneti. Vajza e pa dhe më njofton se emri i motrës së saj ishte në internet dhe se vajza ishte vrarë. Shkova në Polici, dhe më morën disa të dhëna. Ata e nxorën në sistem atje që vajza kishte ikur në 17 dhjetor, pasi kisha dalë nga Spitali. Mora kontakt me ambasadën shqiptare ne Itali. Më thanë se vajza ishte vrarë në Torino dhe se duhet të tërhiqnim trupin. Por ne nuk kemi mundësi financiare. Unë jam në një ekonomi të dobët. Bashkë me vajzën që vdiq, kam 4 fëmijë. Nusja para 5 muajsh më ka vdekur. Në krye të 5 muajve më vdiq edhe vajza. Dua që ambasada të më sjellë vajzën, s’dua të më ngel trupi i saj në Itali.

Me kë shkoi vajza në Itali?
Ajo thoshte se kishte një të dashur, por ne nuk e kishim njohur atë. Kaq. Nuk mori ndonjëherë në telefon, apo të kishte kontakt me ne.

Me aq sa ju ka treguar vajza apo të tjerë. Vajza kishte lidhur martesë atje?
Thoshte që kishte lidhur martesë me një italian atje, pak moshë e madhe. Edhe kur më vdiq gruaja nuk më ka ardhur pasi nuk kishte dokumente. Tani ku e di unë.

Thuhet se vajza ka qenë e gjallë kur është hedhur nga dritarja e makinës. Çfarë kërkoni?
Unë dua drejtësi. Ajo duhet të nxjerrë gjithçka në pah. Nuk vë dot gisht nëse është ky apo ai. Pasi nuk e di. Vajza ka qene në Itali.

Nuk të është ankuar për ndonjë problem?
Jo jo, nuk më është ankuar. Kishim kontakte në telefon. Madje edhe pak pas ngjarjes më erdhën nga dy gjera nga motra e saj, dhe më tha; ‘dil e merri’. Folëm edhe në darkë. Nga ajo ditë, nga e diela, s’kemi folur më. Kemi folur në internet apo telefon. Më thoshte që isha shumë mirë. Ajo s’kishte asgjë.

Me dëshirën e saj u largua drejt Italisë?
Ajo iku me dëshirën e saj drejt Italisë. Se ka imponuar askush.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb