Klevisi, është një djalë i ri që ëndërron të bëhet boksier, por pavarësisht stërvitjes intensive ai thotë se kushtet ekonomike ia pamundësojnë këtë gjë. Ai i është drejtuar emisionit “Shqiptarët për shqiptarët” në “News24”, për të marrë një dritë shprese. E padyshim kjo gjë nuk ka munduar.

Në ditën e ditëlindjes së tij, nëna e Klevisit, Vasilika thotë mes lotësh se nuk ka mundësi t’i blejë atij qoftë edhe një dhuratë të vogël.

Por kur ajo shprehte merakun e saj, nuk e dinte se “Shqiptarët për shqiptarët” kishin përgatitur diçka tjetër që do ta gëzonte Klevisin më shumë se çdo dhuratë.

Klevisi e kishte ëndërr të takonte një boksier dhe në shtëpinë e tij sot ka shkuar mik një boksier shumë i famshëm, i mençur dhe me zemër shumë të madhe.

Më një tortë ditëlindjeje në duar, ku ishin konfiguruar dorezat e boksit, në dhomën e varfër hyri Imail Keta, ish-kampioni i Boksit, duke bërë që trishtimi të largohej një copë herë nga fytyra e djalit.
Ismail Keta i tregoi djalit për të kaluarën e tij të vështirë, që nuk e pengoi atë të realizojë ëndrrën. Fjalët e Ismailit e mbushën Klevisin me besim dhe kurajë.

“Të jesh i varfër nuk është turp. Nga përvoja ime të them se me punë e sakrifica arrihet cdo gjë. Unë vij nga një familje e varfër dhe kur boksi u bë ëndrra ime e madhe, as doreza boksi nuk kam patur. Ato i bëra me leshin dhisë që kishim. Kur shkova në Gjermani, kisha fizikun dhe guximin e Rokut, por së pari më duhej të paguaja lekët që kisha marrë borxh. Lava pjata e bëra lloj-lloj punësh, por kurrë s’iu ndava pasionit tim. Sedra ime, familja ishin prioritetet kryesore. Bëja gjithmonë 3 punë që të ndihmoja familjen. S’kishte kush më gatuante, haja konserva misri dhe shkoja në stërvitje… Pas 18 vitesh mua falë edhe Zotit arrita të marr vlerësimin për punën time”, i tregoi Ismaili djalit, duke i dhënë shpresë e kurajë se një ditë edhe ai mund të bëjë diçka të mirë për veten.

Ismail Keta i dhuroi Klevisit një palë doreza boksi, ku ishte firma e tij dhe fjalët, të cilat djali duhet t’i kujtojë çdo ditë: “Me punë e sakrificë arrihet çdo gjë”.

Gëzimi i Klevisit në ditën e përvjetorit të lindjes ishte i madh, sepse takoi një boksier të vërtetë. Megjithatë ai mendon se kjo ditë do të mbarojë dhe jeta do të vazhdojë si më parë. Është përsëri kampioni i boksit që i jep kurajo dhe e shtyn përpara duke i kujtuar atij se lotët dhe justifikimet nuk janë një sukses.

“Edhe burri mund të qajë por duhet të veprosh”, shprehet Ismaili në përpjekje për t’i dhënë Klevisit forcë e kurajë.

Ish-boksieri i famshëm bën edhe një premtim tjetër. “Unë do rri prapa ashtu siç iu ndenja prapa edhe vëllezërve të mi”.

Kjo është ajo që ndoshta do ta bëjë Klevisin ashtu siç ka ëndërruar.

“Fatmirësisht kishe stilin që unë e pëlqej dhe e njoh më mirë se shumë trajnerë të tjerë. Mbase të mungojnë disa elementë dhe mbase unë jam pjesë e fatit tënd, do të mbështes me kënaqësi dhe familja jote do jetë krenare për ty”, premton Ismaili, ndërsa nënës i kërkon ta mbështesë pasionin e të birit.

(el.sp/BalkanWeb)