Vasfije Krasniqi Goodman është kthyer në një grua simbol dhe heroinë për shumë gra e vajza që përjetuan dhunën seksuale nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. 25 vjet pas dhunimit nga forcat serbe ajo bëri rrëfimin për atë çfarë i ndodhi nga forcat kriminele të Serbisë.

Ndonëse e pranon se nuk është aspak e lehtë të flitet për atë periudhë, Vasfije Krasniqi ka thënë se për çdo ditë e kujton atë që i ka ndodhur në vitin 1999.

“Nuk është diçka që mundesh ta harrosh e ta heqësh prej mendjes”, ka nisur rrëfimin e saj ajo, në RTK.

“Nuk dua të kthehem shumë në detaje, por siç e dini mua ka ardhë më ka marrë një polic serb. Së pari i ka kërkuar babanë dhe vëllezërit, por ata nuk ishin. Isha vetëm me nënën. I kërkoi letërnjoftimet tona. E mori letërnjoftimin e nënës e shikoi dhe ia kthej. Letërnjoftimin e tim e mbajti në dorë dhe tha se kjo duhet me ardh me dhanë deklaratë te Dejani, i cili ka qenë komandant i Prilluzhës. Tha duhet me ardh me dhanë dëshmi se ku është Shaipi dhe djemtë. Në atë kohë babën e kisha në Gjermani, e dy vëllezërit në Gjermani, një e kisha në shtëpi po për momentin nuk ishte aty dhe një në Drenicë si ushtar i Kosovës”, ka theksuar ajo.

Ajo tutje ka treguar se polici serb e ka futur me dhunë në makinë dhe e ka dërguar në Babimoc, fshat i banuar me serbë.

“Ka qenë një tmerr për mua, edhe pse ju lutsha me m’vra, se nuk e dijsha a do të më masakrojnë a çfarë do të ndodhë. Ishim te Kisha serbe dhe ai një shkrepëse ma afronte afër fytyrës. Iu thoshte të tjerëve “Vidi sta imam” (shiko çfarë kam, v.j.), një prej fjalëve që më vranë shumë edhe sot e 25 vjet pas. Ndodhi si ndodhi (dhunimi, v.j.)- polici me uniformë, e më pas i njëjti rast ndodhi edhe me një me rroba civile, por i armatosur. Nuk mund ta përshkruaj atë periudhë, pasi me orë të tëra më kanë mbajtur aty dhe më kanë malltretuar”, ka thënë Vasfije Krasniqi, e cila në atë periudhë ishte 16-vjeçare.

Ajo ka treguar se nga dhunuesit ka marrë edhe kërcënime se nëse nuk do të qetësohej do ta dërgonin në Çyçavicë, ku ka më shumë ushtarë dhe do t’ia bënin të njëjtën gjë.

Ajo ka thënë se dhunuesit nuk kanë pasur maska, por kanë qenë të armatosur.

“Fytyrat e tyre sot e atë ditë i di shumë mirë. Nuk i kam parë as ma herët as më vonë, deri në vitin 2012 kur i kemi identifikuar në bazë të fotografive. Edhe tash është një fotografi që nuk hiqet prej mendjes”, ka shtuar ajo.

Tutje ajo ka treguar se pas aktit të tmerrshëm dhe të ligë, ata e kanë dërguar në fshat Stanovc dhe e kanë lënë në rrugën kryesore Prishtinë – Mitrovicë.

“Kam vrapuar kah varrezat e fshatit. Nuk kam shkuar në shtëpi se ata thanë mos i trego kurrëkujt se çfarë ndodhi, por thuaj se ishe te Dejani për të dhënë deklaratë sepse vijmë të marrim prapë. Unë për këtë arsye vazhdova te shtëpia e axhës dhe aty në oborr ishte axha, nëna dhe dy fqinje dhe ishin duke qarë sepse nuk e dinin se çfarë po ndodhte me fatin tim. Dhe ata në momentin që më kanë parë s’kam pasur nevojë t’u tregoj sepse në bazë të gjendjes që kam qenë e kanë vërejtur atë që më ka ndodhur. Kam qenë e gërvishtur, me tesha të zhveshura dhe ato kanë qenë shenja që aty ka ndodhur dhunimi e tmerri”, ka shtuar tutje ajo.

Më pas ajo ka treguar nëna i ka marrë disa rroba që ti kenë me vete dhe kanë shkuar në fshatin Lum i Madh, ku ishte motra e saj.

“Rrugës duke qarë i kam thënë nënës se kështu më ka ndodhë. Kur kemi shkuar te motra më kanë pastruar dhe kemi qarë sepse e kuptuan se çfarë ka ndodhur. Të nesërmen ka ardhur UÇK-ja dhe kemi shkuar në shtab dhe e kam deklaruar rastin se çfarë ka ndodhur. Nuk është që kam hezituar apo kam heshtur. Unë e kam treguar rastin qysh në fillim”, ka rrëfyer Vasfije Krasniqi.

Ajo ka treguar edhe për pasojat që ka lënë një rast i tillë, derisa nuk i ka përjashtuar as paragjykimet e njerëzve.

“Kam qenë shumë e re, secili dhunim e ka atë historinë e vet, por kur të jesh më e re është ndryshe. I kam pasur traumat gjatë gjithë jetës, sepse dhuna seksuale është që diçka që të shkatërron dhe që nuk shërohet kurrë”, ka thënë ajo.

Krasniqi ka thënë se forcën për të treguar atë çfarë i ndodhi e ka marrë nga familja, e cila nuk e ka paragjykuar asnjëherë. “Viktimat e tjera nuk e kanë përkrahjen që kam pasur unë”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur edhe për rastin e humbur në gjyq lidhur me dhunimin e ndodhur gjatë luftës. “Rastin e kam paraqitur menjëherë pasi ka përfunduar lufta në UNMIK, por s’ka ndodhur asgjë me rastin tim. Më pas është dashur ta hap rastin në vitin 2010 te EULEX-i. Në vitet 2010-2012 jemi ballafaquar me krejt organet. Krejt dëshmitarët i kanë dhënë dëshmitë e veta. Gjyqi është mbajtur në Mitrovicë, edhe pse është dashur të mbahej në Prishtinë”.

“Edhe sot e asaj dite nuk e di për çfarë arsye e kanë mbajtur atje. Gjyqi i Mitrovicës i la të pafajshëm në mungesë të dëshmive të mjaftueshme. Gjyqi i Apelit me të njëjtat deklarata e njëjtat dëshmi njërin e dënoi 12 vjet e tjetrin 10 vjet. Por ata e dërguan lëndën në Gjyqin Suprem dhe çuditem se si ka mundur një gjyqtare femër shqiptare ta kthejë vendimin e Gjyqit të Mitrovicës, se nuk ka dëshmi të mjaftueshme. Edhe pse aty shkruan se dhunimi ka ndodhur, por këta nuk janë kryerësit e dhunimit. Nuk di si munden t’i lënë të lirë, kur ata ishin dhunuesit dhe sot e asaj dite nuk e di ku janë”, ka theksuar Krasniqi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb