Klubi i Tiranës ka reaguar fuqishëm pas lajmit se 66% e aksioneve të presidentit Refik Halili kanë dalë në ankand, duke e cilësuar këtë një skenar dashakeq që synon tjetërsimin e aseteve të klubit më të suksesshëm në Shqipëri:

Reagimi i plotë:

Klubi i Futbollit Tirana, nëpërmjet këtij reagimi, kërkon të sqarojë opinionin publik për një dezinformim të qëllimshëm, që është përhapur në media, për sa i përket falimentit të klubit! Ky lajm, është pjesë e një skenari të qëllimshëm, totalisht spekulativ dhe me prapavijë dashakeqe dhe komploti, për të synuar tjetërsimin e aseteve të KFT.

Ju bëjmë me dije se ekipi ligjor dhe stafi i klubit, është në dijeni të plotë të këtij skenari dhe ka marrë të gjitha masat, për ta bllokuar dhe denoncuar në të gjitha instancat ligjzbatuese përfshirë dhe hapat ligjorë te ndjekjes penale.

Njëkohësisht, klubi thekson se këto janë çështje të cilat synojnë të dëmtojnë imazhin e Klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar, duke siguruar se nuk ka asnjë problem likuiditeti.

Asnjë veprim abuziv dhe asnjë person, kushdo qoftë ai, nuk do mund të arrijë të realizojë skenarë që dëmtojnë interesat e Klubit të Futbollit të Tiranës si në aspektin administrativ, ashtu dhe në atë sportiv.

Sigurojmë të gjithë dashamirësit, tifozët, bashkëpunëtorët dhe partnerët, se Klubi i Futbollit Tirana, do të vazhdojë rrugëtimin e tij, për të arritur objektivat sportivë dhe se asgjë dhe askush, nuk mund dhe nuk do të cënojë ekzistencën, mbarëvajtjen apo edhe funksionimin e klubit.

Zyra për shtyp

KF Tirana

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb