DURRËS- Gjithçka është kthyer në mbeturina. Sendet personale, stilolapsi, atletet e bardha që i kishte veshur, një palë këpucë të kuqe në bagazhet e saj, një rimel për sytë. Kjo është pamja që të ofrohet pak orë pas aksidentit tragjik në autostradën Tiranë-Durrës, në hyrje të Maminasit ku pas mesnatës së kaluar ndodhi aksidenti tragjik që iu mori jetën dy personave, Bujar Agalliut, 60 vjeç dhe Elena Avdillarit, 23 vjeçe.
Gazetarja Klodjana Haxhiaj ka siguruar për “BalkanWeb” disa pamje nga vendi i ngjarjes, ku taksia me të cilën udhëtonin dy viktimat u godit nga një mjet tjetër dhe u përplas në rrethimin e një karburanti.
Të dy udhëtarët e taksisë humbën jetën në vend. 23-vjeçarja duhet të udhëtonte mbrëmjen e kalaur drejt Italisë por është kthyer në port nga policia. Ajo ka marrë një taksi për të udhëtuar drejt Tiranës por në hyrje të Maminasit ndodhi edhe aksidenti fatal.
Dëshmitarët treguan që goditja ka qenë shumë e fortë dhe ka shkaktuar panik dhe tek ata vetë që kanë pyetur veten se çfarë ndodhi. Policia ka identifikuar shoferin e makinës Fatjon Zhaporja që dyshohet se shkaktoi aksidentin dhe po negocion për dorëzimin e tij. Dyshohet se ai ka qenë bashkë me një tjetër person në makinë.
(m.k/BalkanWeb)