TIRANE– Pas kërkesës së Partisë Socialiste për shkarkimin e tij nga detyra e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me pretendimin se ka shkelur ligjin, vjen reagimi i Klement Zgurit.

Jashtë sallës ku po zhvillohet mbledhja e Komisionit te Ligjeve, ku po shqyrtohet projektbuxheti i vitit 2018 për KQZ, ai theksoi se nuk merret me deklarata politike. Kreu i KQZ tha se për të nuk ka asnjë ankimim deri tani në Kolegjin Zgjedhor nga subjektet politike lidhur me vendimin e institucionit te tij.

“Gjithsesi në respekt tuajin mund të them diçka shkurt. Që dje në një deklaratë timen kam kërkuar që të ruaj statusin tim dhe të jem funksionar publik, dhe ti qëndroj kësaj. Por do ti përgjigjem kësaj pyetje; Kush është institucioni që vlerëson një vendim të KQZ që është apo jo i ligjshëm?Asnjë subjekt zgjedhor se ka ankimuar vendimin e KQZ në Kolegj. Ai është kolegji zgjedhor dhe gjykata. Fakti që nuk ankimohet do të thotë se në brendësi ai vendim pranohet dhe s’ka pse të diskutohet. Ka procesverbale, e vendime. Gjithçka që verifikohet dhe është publike.”, tha ai.

Dje kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi shkarkimin e Klement Zgurit nga detyra e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas debatit të krijuar për kreun e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj, të cilin KQZ-ja nuk e shkarkoi ndonëse PS-ja pretendonte se ishte dënuar në Itali.

Balla u shpreh se asnjë funksionar publik që shkel ligjin nuk mund të vazhdojë në atë detyrë. Sipas kreut të grupit të PS, Zguri ka shkelur ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkohë gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Komisionit, Zguri deklaroi se fondi për institucionin që ai drejton është i mjaftueshëm. Ai pohoi para të pranishmëve se fondi i akorduar për vitin 2018, nuk ka ndryshim nga ai i 2017-ës.

“Buxheti i vitit 2018 për ne është i mjaftueshëm. Nuk ka ndryshim fondet nga 2017, janë thuajse njësoj edhe për këtë vit. Ne nuk kemi magazina dhe kemi sasi të mëdha dokumentesh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gamë të gjerë informacioni, duhet investime për sigurinë dhe për transparencën.”, tha Zguri. Mes të tjerash ai ngriti shqetësimin për faktin se automjetet që disponon KQZ janë të vjetra. Ndërkohë, deputeti i PS-së, Bashkim Fino theksoi se KQZ nuk ka vuajtur asnjehërë për fonde, ndërsa shtoi se sa herë që është kërkuar shtesë, janë miratuar.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb