TIRANË- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me banorët e njësisë numër 1 në kryeqytet ku ka përsëritur thirrjen për t’iu bashkuar protestës së 27 janarit. Ajo tha se të gjithë duhet t’i bashkohen kësaj proteste pavarësisht bindjeve politike.

“Do luftojmë që gjithë shqiptarët të kenë një Shqipëri të barabartë, një drejtësi të barabartë. Një sistem të barabartë për të gjithë. Ne sot ju kërkojmë të gjithë të mos ndaloni deri më datë 27 janar, derë më derë, shtëpi më shtëpi, me miqtë e rrethin tuaj, të rinj e të reja, pensionistë e pensionistë që më 27 janar të jenë në bulevardin “Dëshmorët e kombit”. E them këtë jo për të treguar se njerëzit mbështesin LSI-në por për veten tonë, për të drejtat tona”, tha Kryemadhi.


Kryemadhi

Ajo theksoi se LSI nuk ka frikë, ashtu siç flitet duke i matur gabimet e kësaj force që ishte 8 vjet në pushtet, 4 vjet me PD-në dhe 4 vjet me PS-në me pjesën e pushtetit.

“Dëgjoni shpesh në TV nga tellallët e Edi Ramës se LSI-ja ka frikë. LSI nuk ka frikë nga asgjë. LSI vërtetë ka qenë 8 vjet në pushtet. Por sa ka pasur pushtetin, aq ka edhe mëkatet”, tha Kryemadhi duke e shoqëruar deklaratën me gjeste.

Ajo tha se Shqipëria vjen para çdo bindjeje politike.
“Në datë 27 janar duhet të jeni në protestë. Ju ftoj me gjithë zemër. Harroni bindjen politike. Duhet të vendosim Shqipërinë para çdo bindje politike”, tha kryetarja e LSI-së.

(m.k/BalkanWeb)