Duket sikur sot, telenovelat nuk tërheqin fort vëmendje. Është vetëm dukje sepse mundet t’iu qëllojë të shihni edhe ndonjë ministër që nuk i heq sytë nga televizioni, për t’i parë. “fshehtas” patjetër, siç bënte dikur edhe Lenka
Çuko. Të lindurat në vitet ’80 mund të mos kujtojnë asgjë nga telefilmi i famshëm “Skllavja Izaura”, transmetuar pikërisht në ato vite. Ama, e kanë shpjegimin nëse dikush i pyet se përse prindërit kanë vendosur t’i quajnë pikërisht Izaura ose Malvina. Ishin dy personazhet kryesore të telenovelës së famshme braziliane, që transmetohej në Televizionin Publik Shqiptar. Siç kujtojnë ndjekësit, ata që prisnin me padurim serinë e radhës, rrugët boshatiseshin në orarin e serialit. Jo se kanë qenë dhe aq të zhurmshme, por sidoqoftë zbrazeshin krejt. Arsyeja ishte e ditur për të tërë. Ajo që nuk dinin, ishte se kuadrot e lartë të kohës nuk prisnin ashtu si ata. Të mos ishte për gazetarin Virgjil Kule që i risolli këto ngjarje të së shkuarës në emisionin “Opinion” pak ditë më parë, nuk do të kujtoheshim për bujën e këtij seriali.
Kule tregoi fare pak se si ministra të kohës u kërkonin drejtuesve të programacionit në televizion t’i shihnin të gjitha seritë brenda një apo dy ditësh. Nuk tha asnjë emër, por nuk se njerëzit nuk fjaloseshin me njëri­tjetrin për çka dëgjonin nga të tjerë. E si mund ta fshihte entuziazmin vajza e sekretares së dikurshme të Komitetit Qendror, Lenka Çuko, të nesërmen kur shkonte në shkollë e i gjente shokët duke hamendësuar se ç’do të shihnin në serinë e radhës. Ajo vetë i dinte, sepse e ëma kishte bërë të mundur t’i shihnin të gjitha seritë. Në mos të gjithëve, shokëve më të ngushtë ua tregonte. Kaq mjaftonte të ziente e gjithë shkolla. Pa përjashtuar edhe vetë punonjësit e televizionit, që ndonjë fjalë nën zë edhe e shkëmbenin. Sidoqoftë, ajo që donim të tregonim, është se kohët vërtet kanë ndryshuar. Sot, ministrat nuk janë më aq të padurueshëm sa kanë qenë dikur. Ndofta edhe pse telenovelat janë ca më të gjata se rasti i sipërpërmendur dhe se, sot, është më e vështirë t’u mbyllësh gojën njerëzve për të mos treguar se pamë filan ministër nëpër studiot e filan televizioni. Nejse, ai mundet ta mbulojë veten fare mirë, duke thënë se ishte i ftuar në X emision, por përsëri të fshehtat janë bërë shumë më të vështira për t’u mbajtur. Megjithatë, ne nuk na tha askush që filan ministër përpiqet në gjumë, sepse pret ç’do të ndodhë të nesërmen në mëngjes në serinë e radhës. E dimë, e dimë që telenovelat transmetohen përgjithësisht pasditeve ose në mbrëmje, ama ritransmetohen në mëngjes. Një ministër i pak viteve më parë, duke qenë se s’mund t’u justifikohej shokëve a takimeve të punës në mbrëmje, shfrytëzonte pikërisht paraditen për të parë telenovelën e tij të preferuar. Nuk ka si shpjegohet ndryshe fakti që kur rasti na çoi në Ministrinë e tij, pikërisht prej derës së kreut të institucionit dëgjoheshin biseda në gjuhën turke. Një njeri i jashtëm që nuk e lidh gjë me korridoret e Ministrisë, mendon menjëherë të qetësojë hapat, në mënyrë që të mos shqetësojë as me frymë mbledhjen që ministri është duke zhvilluar me homologun a ndonjë grup të huajsh. Por ky mendim nuk shkon deri në fund, sepse “takimin” e tradhton muzika e telenovelës që është transmetuar ca kohë më parë, “Shamikuqja”. Jo filmi, telenovela. Natyrisht që për punonjësit e institucionit kjo ishte ngjarje familjare. Madje e shfrytëzonin këtë kohë njësoj siç bënin në rastet kur ministri ishte jashtë shtetit. Pra, avullonin. Fundja, ai vetë porosiste qetësi të plotë dhe nuk priste asnjë takim. Vetëm se asnjëherë nuk e shfrytëzoi postin për të marrë të gjitha seritë në televizionin që e transmetonte e për t’i parë me nge në shtëpi. Fundja, ç’do bënte edhe gjithë paraditen. Kush është ministri? Epo, edhe për Lenka Çukon e mësuat më shumë se 30 vite më pas, kështu që…
(er.nu/unegruaja/BalkanWeb)


Etiketa: