TIRANË- Për një qeveri me bazë të gjerë i pari që hodhi idenë ishte deputeti demokrat Tritan Shehu, ndërsa sot thirrja përsëritet nga një deputet i LSI-së, Shezai Rrokaj.

Sipas tij, paralizimi i institucioneve kushtetuese për shkak të reformës në drejtësi, mosndëshkimi i peshqve të mëdhenj, varfëria ekstreme në vend, mungesa e investimeve të huaja, përqendrimi i parave në duart e oligarkëve, braktisja e vendit dhe mungesa e dialogut politik janë disa prej arsyeve që përgjegjësia kombëtare duhet të prevalojë mbi interesin politik e të krijohej një qeveri me bazë të gjerë.

STATUSI I PLOTË
shezai rrokaj
Ja pse duhet një Qeveri Stabiliteti me bazë të gjerë. Reforma në drejtësi ka paralizuar disa institucione kushtetuese dhe po jep shenja të dukshme njëanshmërie. Së dyti, mosndëshkimi i peshqve të mëdhenj që nga ministrat e deri te bosët e drogës, si rasti i Maminasit e i Toyota yaris-is . Së treti, varfëria ekstreme, ku rreth 50% e popullsisë jetojnë me nën 5$ për frymë në ditë si dhe rritja e pabarazisë sociale. Së katërti, mungesa e investimeve të huaja serioze dhe tendenca në rritje e biznesit vendas për të investuar jashtë. Së pasti, përqendrimi i parasë publike te një grusht oligarkësh, duke deformuar rregullat e konkurrencës me skema e dyshimta si ajo e PPP-ve. Së gjashti, braktisja e vendit sidomos prej popullsisë aktive për shkak të papunësisë, rrogave të ulta, rritjes së taksave dhe dëshpërimit që ka shpënë në mungesën e besimit. Së shtati, mungesa e dialogut politik prej arrogancës së mazhorancës dhe kontrolli i mediave nëpërmjet kapjes a presionit të saj mbi to. Në këto kushte zgjedhjet vendore janë të pamundura. Ndaj mendoj se përgjegjësia kombëtare duhet të prevalojë mbi egoizmin politik partiak dhe se pa humbur kohë është e nevojshme krijimi i një Qeverie të Stabilitetit, e cila do të kishte për mision: Të përmirësonte ndjeshëm treguesit e mësipërm, do të përgatiste zgjedhje të pakontestuara, ku zgjedhjet vendore të bëheshin njëkohësisht me ato politike si dhe do të krijonte kushte reale të besueshme për çeljen e negociatave.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: