Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë është mbajtur mbrëmë nata e parë e Edicionit të 55-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, i konsideruar prej vitesh si një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës së lehtë shqiptare.

Këngëtarja Ledina Çelo është paraqitur në natën e parë të edicionit të 55-të të Festivalit të RTSH-së si prezantuese pas shumë vitesh mungesë në skenë përkrah aktorit shqiptar Kasem Hoxha me karrierë në Gjermani.

Prezenca e saj u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku, por nuk mund të themi të njëjtën gjë edhe për veshjen.
Fustani i zi transparent, që këngëtarja veshi në pjesën e dytë të festivalit zbulonte më shumë se ç’duhej, dhe kjo bëri që publiku të zhgënjehet paksa me këngëtaren, prej së cilës për kaq vite mungesë, prisnin një paraqitje më dinjitoze.

Ledina, e hijshme dhe trup në formë, doli në skenën e madhe me këtë veshje, ndërkohë që aktori Gent Hazizi po sillte në kujtesë festivalet e shkuara, duke u ndalur specifikisht te veshjet e artistëve e këngëtareve. Ai thumboi veshjet deri në fyt, të gjata, e madje edhe me mëngë që të mos kishe mundësi të shihje as krahët dhe hoqi paralelen me realitetin sot, duke sjellë shembull edhe Ledinën.

Ironizoi me humor duetin e saj me Luan Zhegun, “ai në djersë, gjithë kohën, shih si lëviz kjo, ku vete moj”. “Çfarë të shoh, unë ty do të shoh në sy”­ tha mes të tjerash ai.

Ndonëse festivali është zhvilluar në orët e vona, ai është transmetuar në të gjitha kanalet shtetërore në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ndaj dhe ekstravaganca e tepërt në këto ekrane, nuk është shumë e përshtatshme për llojshmërinë e audiencës.

Në natën e parë publikut ju paraqitën 12 këngët më të reja të muzikës së lehtë shqiptare. Ato u përkasin rrymave të ndryshme muzikore, fryt i bashkëpunimeve midis emrave të njohur, por edhe të rinj të muzikës shqiptare. Orkestra e RTSH drejtohet nga Jetmir Barbullushi. Nata e parë e Fest ’55 solli për të pranishmit edhe një homazh me këngët më të mira të Festivaleve të Këngës në RTSH.

Në natën e dytë do të prezantohen edhe 12 këngë të tjera. Midis 24 krijimeve, për natën e tretë do të përzgjidhen 14 më të mirët. Prej tyre do të dali edhe fituesi i Fest 55, që si zakonisht do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb