ITALI-Trupi i pajetë i gjetur në brigjet e Leçes mund të mos t’i përkasë avokatit Besnik Muço, i cili rezulton i zhdukur që prej 2 nëntor. “Leçeprima.it” shkruan se trupi i pajetë, të cilit i mungonte koka, u gjet mes 6 dhe 7 nëntorit në ujërat e Castro si dhe një protezë çeliku në këmbën e djathtë.

Por këto fakte, bindën edhe më shumë familjarët e Muços që të besonin se trupi i pajetë mos t’i përkiste 54-vjeçarit, pasi Besniku nuk kishte protezë. Ndërkohë, trupi që u gjet dyshohet se ka pasur më shumë kohë në det. Ndonëse ende analizat e ADN-së nuk kanë dalë, “Leçeprima.it” shkruan se policia ka dyshime që trupi i pajetë mund të jetë ndonjë skafisti, duke e lidhur dhe me një sasi të sekuestruar droge në këtë zonë pak kohë më parë.

Në bazë të hetimeve të Prokurorisë në Macerata dhe asaj të Tiranës, 54-vjeçari ka hipur në 2 nëntor në tragetin nga Durrësit drejt Barit, ndërkohë që në orën 23:00 celulari i tij dilte i fikur.
Kur trageti arriti në portin e Pulias, nuk kishte asnjë gjurmë të Muços. Policia gjatë kontrollit gjeti një qese me disa rroba, bileta, karta shëndetësore dhe dokumente të tjera që i përkisnin Muços.
Prokuroria e Tiranës po heton për rrëmbim personi pas denoncimit të vëllait të të zhdukurit. Gjatë trazirave të marsit të vitit 1997, prokurori, gruaja dhe djali i tij kishte ikur në Itali dhe u vendos në Macerata, ku ata u pritën si refugjatë politikë në sajë të punës së bërë në Shqipëri.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: