NGA FATMIRA NIKOLLI*

Kur Kryeministria u rrethua me hekura e armë vetëm fare pak vite më parë, ne diskutonim për ekzistencë, për vrasje në bulevard, për lirinë e fjalës, për dhunë shtetërore. Sot po debatojmë për shije estetike dhe rreth veprës së artistëve me reputacion ndërkombëtar”.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, teksa jep opinionin e saj për debatin mbi fasadën e Kryeministrisë, e siguron se monumenti nuk është dëmtuar, nuk lë pa vënë në peshore dy kohë. Përtej kësaj, në një intervistë për “GAZETA SHQIPTARE”, ajo ndalet tek çështjet kryesore të dikasterit që drejton. Flet për rikonceptimin e pavijoneve të Muzeut Historik Kombëtar, një linjë e re muzeale për Galerinë Kombëtare, rikonstruksionin e Operës, fatin e Teatrit, muzetë e parqet arkeologjike nëpër rrethe; duke i dhënë një theks të veçantë, qëllimit parësor të kësaj bisede: Trashëgimisë Kulturore, nga vilat e Tiranës, tek ndërtimet (me dhe pa leje) në Durrës, Krujë, Berat e më gjerë. Synimi i saj si ministre? “Të ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm menaxhimi dhe administrimi në institucionet publike të artit, që të mos ndryshojë me ndryshimin e qeverive dhe të ministrave”-thotë ajo. Më poshtë një intervistë e gjatë, për shumë çështje, ku është e nevojshme një ndalesë e gjatë.

-Një vepër e Philippe Parrenos (Marquee Tirana 2015) në fasadën e Kryeministrisë ngjalli debat, për shkak se ndërhynte në një monument kulture. Si kryetare e KKR-së që e miratoi këtë ndërhyrje, si ju përgjigjeni zërave që e shohin ‘strehën’ si një dëm ndaj trashëgimisë? A jepet shembull i keq për mbrojtjen e saj?
Po ta shohim me kujdes, debati për këtë temë ka qenë më së shumti estetik dhe nisur nga qasje subjektive, po të doni edhe legjitime, të një publiku profesionist ose amator, të interesuar specifikisht në çështje të artit apo të arkitekturës. Më lejoni të them se debati është vetëm një shenjë e mirë dhe e shëndetshme në një shoqëri. Sidomos kur diskutohet për tema të tilla me karakter kulturor, artistik, estetik, filozofik, them se duhet ta quajmë progres për qytetin.
Mos të harrojmë që kur Kryeministria u rrethua me hekura e armë vetëm fare pak vite më parë, ne diskutonim për ekzistencë, për vrasje në bulevard, për lirinë e fjalës, për dhunë shtetërore. Sot po debatojmë për shije estetike dhe rreth veprës së artistëve me reputacion ndërkombëtar.
Nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore, ju siguroj se është respektuar si ligji duke e diskutuar projektin në këshillin shkencor të IMK dhe në KKR, edhe monumenti, i cili nuk dëmtohet aspak nga instalacioni. Ky i fundit është i lëvizshëm, i lehtë, i kthjellët dhe me kontrastin e vet nuk i ndërhyn monumentit, por e nxjerr në pah atë përmes kontrastit. Nuk është vendi këtu që të bëj përsiatje personale mbi qasjen time estetike, por mund të sugjeroj për shembull, leximin e komentit që i bën Profesor Artan Fuga instalacionit në fjalë. Me vëzhgimet e kundërshtitë e veta, është një ndër mënyrat për ta parë këtë frymë të re artistike në një ndërtesë historike.

– COD në Kryeministri sjell tre artistë të njohur, një ekspozitë: Dy video me foto të Shqipërisë 1945-1990, bibliotekë dhe një miniekspozitë “Made in Albania Shelf”. Po i konkurron Kryeministria institucionet që ju keni në varësi dhe a është diskutuar në dikasterin tuaj, mundësia e ndërtimit të një muzeu për artin bashkëkohor?
Nuk e di si mund të flitet për konkurrencë mes instancave qeveritare, ndërkohë që jemi pjesë e së njëjtës skuadër qeveritare me prioritete të vendosura tashmë e për të cilat punojmë të gjithë bashkë. Që në krye të herës si qeveri, dhe secili nga pozicioni i vet, e kemi shprehur në të gjitha format synimin tonë për hapjen e mjediseve ekzistuese ndaj publikut për destinacion kulturor, edukativ, hapësirë debati e diversiteti, etj. Kemi nisur disa projekte të tilla me hapje të plotë, siç është Qendra Rinore në Tiranë, ish-Kinostudio e braktisur dhe ku sot ndodhet Ministria e Kulturës me hapësira të gatshme për aktivitete kulturore, Muzeu Arkeologjik në Durrës që mbeti i mbyllur për më shumë se 4 vjet, etj.
Por edhe hapje në fazë eksperimentimi ose hapje të përkohshme deri në ndryshimin e statusit të objekteve, çka kërkon disa procedura administrative, por edhe për aq kohë sa duhet për të zhvilluar projekte të qëndrueshme dhe të mirëmenduara, siç janë rezidencat qeveritare: Pallati i Brigadave, vila e ish-diktatorit, ndërtesa e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, rrënoja e harruar industriale në afërsi të gjimnazit “Petro Nini” që do të kthehet në një qendër skenike të re, ose projekti muzeal e edukativ që po zhvillohet te Shtëpia me gjethe që tashmë është në fazën e restaurimit të godinës, apo edhe Bunkeri në malin e Dajtit. Kati i parë i Kryeministrisë është vetëm një stacion më shumë në këtë hartë kulturore dhe diversiteti që synojmë të zhvillojmë në shërbim të bashkësisë e të rinisë.
Po përgatisim ndërkohë disa konkurse për të vjelë projekt ide cilësore në përdorimin funksional e sa më të mirë, por edhe në respekt të monumentit për një pjesë të ndërtesave që përmenda më sipër, ku do të gjejë hapësirë edhe ideja e artit bashkëkohor.

– Gjatë fushatës elektorale, ju kemi parë të vizitoni site të trashëgimisë me kryetarë dhe kandidatë për kryetarë bashkish. A ishin këto shfaqje në publik me ta: Për t’i përfshirë në projektet tuaja për trashëgiminë, pra për të siguruar mbështetjen e tyre, apo për të mbështetur ata?
Unë e kam nisur muajin e parë të punës si ministre duke inspektuar sitet e trashëgimisë kulturore. Këto ture janë pjesë e rutinës time në mos të përjavshme, të përmuajshme po se po. Dhe vizitat janë intensifikuar sepse tashmë kemi hapur kantiere në të gjithë vendin, por edhe se përgatitëm sezonin turistik veror. Në këto vizita unë gjithmonë kam takuar kryetarët e bashkive, pavarësisht se kujt partie i përkasin, sepse jam e bindur që nuk mund të jetë efikase puna e Ministrisë së Kulturës pa bashkëpunim të ngushtë me strukturat lokale dhe banorët që e jetojnë monumentin.
Gjatë periudhës kur këto inspektime kanë përkuar me fushatën zgjedhore, kandidatët që kanë qenë në detyrës si kryetarë bashkie kanë bërë detyrën e tyre dhe kanë shprehur angazhimin personal në këtë bashkëpunim, ndërsa kandidatët që mëtonin për kryetarë kanë qenë shembull të qytetarit të shqetësuar për trashëgiminë kulturore të zonës, dhe kanë kërkuar të mësojnë më shumë se si mund të zhvillohet pasuria kulturore, çka më duket krejt normale dhe madje e vlerësoj maksimalisht sepse ka pasur prej tyre që kanë ardhur të shkëmbejnë mendime edhe para një viti e më shumë pa e ditur fare se do të ishin kandidatë, siç është rasti i Keti Bazhdarit që ka ndarë me mua shqetësimet e saj për Shkodrën që në fund të 2013. Përndryshe, jashtë këtyre projekteve besoj kam gjithë të drejtën të mbështes në mënyrë individuale forcën politike që ka sjellë në qeverisje këtë skuadër dhe të shpreh mbështetjen time për kandidatët te të cilët unë kam besuar fort.

– Imazhet e restaurimit të Hamamit të Krujës, shkaktuan një debat të gjerë, mes kompetentësh e jokompetentësh. Duke marrë parasysh faktin që jo të gjithë munden të studiojnë projektin e restaurimit(ashtu sikundër nuk do e bëjnë vizitorët e turistët), si i përgjigjeni shqetësimeve për këtë restaurim dhe a është ky modeli që do ndiqet në vijim?
Së pari, siç e thashë më lart dhe është shumë e rëndësishme ta theksojmë, konstatoj me shumë kënaqësi se debati tashmë nuk është më mbi vjedhjet, vandalizmat, thyerjet, përdhosjet, vrasjet, grabitjet, paligjshmërinë në trashëgimi, siç ishim mësuar deri dy vjet më parë, por është debat mbi cilësinë, mbi metodat, mbi standardin e ruajtjes, restaurimit, promovimit të monumenteve të kulturës. Është një hap jo i vogël përpara ky!
Së dyti, do të kisha dashur që gjithë debatuesit për çështjet, të kishin marrë mundimin e ta shihnin në vend para se të lëshoheshin në rrjetet sociale duke anatemuar pa cak e pa dallim gjithkënd nisur vetëm nga një foto. Askush s’e bëri. Dhe kjo është për të ardhur keq. Megjithatë edhe kjo është pjesë e një procesi edukimi në debatet publike lidhur me trashëgiminë, dhe është më mirë kështu se sa të mos përballen gjërat në diskutim.
Së treti, restauratorët e Hamamit, që punuan me organizatën Cultural Heritage Without Borders, me financim të qeverisë suedeze, u shprehën publikisht për metodat e përdorura dhe i ftuan të gjithë në dialog, por media nuk preferoi ta publikonte opinionin e tyre profesional dhe mendjehapur.
Së katërti, duhet të fillojmë të kuptojmë e të pranojmë idenë që monumentet e kulturës nuk janë “natyra të qeta” të ndërtuara vetëm për t’u soditur pasivisht. Kur janë ndërtuar nga breza para nesh, shekuj para nesh, monumentet kanë qenë mjedise jete njerëzish të gjallë, ku punohej, bëhej teatër, bëhej luftë, bëheshin fëmijë, gatuhej, ndërtohej, etj.
Sot po nuk u jetuan monumentet nuk mirëmbahen. Dhe bashkëjetesa e monumentit si trashëgimi kulturore me aktivitetin e modernitetit nuk është e pamundur. Karta e Veronës i ka përcaktuar shumë qartë kriteret se si realizohet kjo gjë. Rivitalizimi i monumenteve nën masa rigoroze profesionale dhe në respekt të atyre kritereve është një proces që duhet zhvilluar. Hamami në fjalë nuk është prekur aspak në origjinalitetin e vet. Monumenti është aty, dhe në çdo moment mund të hiqen pllakat e gurëve që e bëjnë atë të përdorshëm pikërisht për qëllimin e tij e vetë ekzistencës së tij dhe mund ta kthejnë në një sit thjesht të vizitueshëm si dëshmi historike, ashtu sikurse përdorimi i tij jo vetëm shton vizitorët në kalanë e Krujës, por edhe krijon punësim dhe të ardhura. Shembuj të tillë Europa ka pafund.

– Zonja ministre, për gjithë dëmet që janë bërë deri më tani në trashëgimi (dhe nuk janë pak), nuk janë marrë masa, pra nuk është mbajtur përgjegjësi, ashtu sikundër për borxhet me të cilat e keni gjetur MK-në. Do të vijojë mosndëshkimi a mosmbajtja përgjegjësi?
Nuk është krejt kështu, së pari, analiza e situatës së gjetur dhe kryerja e reformës, largoi nga drejtimi i institucioneve, shumë drejtues të lartë të sistemit të trashëgimisë, dhe jo vetëm të trashëgimisë.
Brenda kapaciteteve tona si Ministri Kulture, por edhe duke iu referuar raporteve të KLSH, i kemi hyrë disa dosjeve duke anuluar vendime të KKR apo urdhra ministrore, siç janë ato të projektit të jetëzimit të Kalasë së Lezhës. Kemi proceduar disa raste ndërtimesh të paligjshme për ne si dhe denoncime për shpërdorim detyre. Dhe madje vazhdojmë ta bëjmë. Më tej organet e akuzës duhet të bëjnë detyrën e tyre.
Ndërkohë jemi në pritje të mbarimit të një gjyqi lidhur me një akuzë të rëndë për vjedhje ikonash, denoncim dhe akuzë që u bë nga qeveria jonë pak muaj pasi morëm mandatin.

– Dalja e Beratit dhe Gjirokastrës nga zona e rrezikut, që do t’i shpallte pasuri botërore në rrezik, ishte një lajm i mirë. Eleni Maistrou, në raportin e saj të fundit, kërkonte që ndërtimet të shembeshin apo të përshtateshin, në fakt, çfarë do të bëhet me to?
Është padyshim një lajm i mirë dhe një vlerësim për punën e bërë në këta dy vjet nga strukturat e trashëgimisë kulturore që nga ministria deri në drejtoritë rajonale, sikurse është një vlerësim edhe për masat e marra nga qeveria, siç është moratoriumi i vitit 2013 apo represioni që kemi ushtruar ndaj ndërtimeve të paligjshme, sistemi i rregullt i raportimit, ndjekja në terren dhe çdo ditë e monumenteve.
Rezoluta e Bonit e 2 korrikut 2015 nxori dhe disa rekomandime një pjesë të të cilave i kemi plotësuar tashmë, siç janë rregullorja e re e Beratit, rregullorja e re e Gjirokastrës e cila sapo mbushi 10-vjetorin në UNESCO, po punohet intensivisht për të mbyllur draft-ligjin e ri të trashëgimisë. Po kështu po punojmë për ta kthyer qendrën historike të Gjirokastrës në zonë këmbësore, por kjo kërkon një zgjidhje infrastrukturore për të mos penguar jetën e përditshme të banorëve. Për këtë do të organizojmë një konkurs dhe kemi kërkuar ekspertizën e UNESCO-s.
Për sa i përket ndërtimeve që gjetëm, dihet që Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka kohë që po shqyrton rastet një nga një dhe ka ndërhyrë e prishur aty ku ndërtimi ka qenë i paligjshëm. Rastin e fundit ju e patë në Berat para pak javësh kur u prish hoteli i ndërtuar në qendrën historike.
Por, edhe aty ku certifikimi i ndërtimit është bërë, ndonëse unë kam dyshime të forta për mënyrat se si është bërë, ne kemi kryer shpronësime siç ishin të gjitha ngrehinat e përçudnuara te sheshi “Nënë Tereza” të cilat kishin arritur të regjistroheshin në të gjithë sistemin publik vetëm brenda një muaji!

– Po me ndërtimet pranë Kalasë së Krujës, çfarë do të bëhet, ndërtime që ndërhyjnë në peizazhin historik?
Është e vërtetë që peizazhi është dëmtuar rëndë në Krujë, ndonëse ne kemi ndërhyrë bashkë me Fondacionin Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit për të restauruar gjithë pazarin e vjetër dhe qendrën historike.
Duhet të mbani parasysh edhe një gjë, të gjitha këto prishje, pastrime, shpronësime kanë një kosto të rëndë, për buxhetin e shtetit, domethënë paguhen me taksat tona. Dhe nuk mund të riparohet në një apo dy vjet ajo që është bërë keq e që është dëmtuar për vite të tëra nga një administratë e papërgjegjshme dhe abuzive.

– Një tjetër projekt, për një ndërtim përballë Lulishtes ‘1 Maji” në Durrës është paraqitur. KKA që ju drejtoni nuk e ka miratuar, megjithatë, ndërtuesi ka deklaruar publikisht(në media) se ka mbështetjen e kreut të Bashkisë së Durrësit, i njëjti që ka dhënë lejen e parë, të miratuar nga Ministria e Kulturës së qeverisë Berisha ku u dëmtua ‘Pompei shqiptar’. Nëse, ndërtimi i ri nis, ç’mund të bëni ju si ministre për ta penguar?
Po e dëgjoj nga ju për të parën herë këtë. Ju siguroj se asnjë projekt nuk nis pa miratimin e instancave të trashëgimisë, dhe për këtë jemi në bashkëpunimin e duhur me pushtetin lokal.
Ju siguroj gjithashtu se Ministria e Kulturës dhe institucionet e varësisë së saj si dhe Këshillat Kombëtarë që unë drejtoj shqyrtojnë me skrupulozitetin më të madh çdo projekt, dhe çdo zhvillim. Jam krenare që punoj me një ekip që i kushton vëmendjen maksimale trashëgimisë dhe ka treguar në dy vjet se kur punohet me ndërgjegje dhe me përkushtim, edhe në kushte të vështira, mund të arrihen shumë gjëra, pa bllokuar zhvillimin, por duke gjetur ekuilibrat e duhur midis ruajtjes së trashëgimisë dhe zhvillimit të vendit.

– Ministria e Kulturës dhe ju si ministre, dolët në mbrojtje të vilave të Tiranës. Aktualisht, me ndërrimin e kryetarit të bashkisë, çfarë do të bëhet me dy lejet e dhëna?
Në datë 16 korrik unë kam nënshkruar vendimin për të shpallur monument kulture të kategorisë së dytë rreth 130 objekte në qytetin e Tiranës, pas një studimi disamujor që ka zhvilluar Instituti i Monumenteve të Kulturës, dhe kemi rifutur sërish në mbrojtje paraprake pjesën tjetër të objekteve që do të shqyrtohen në vijim. Ky vendim i bëhet menjëherë i njohur pushtetit lokal sikurse kemi vepruar gjatë gjithë kohës.
Objektet në mbrojtje paraprake apo të klasifikuara si monument kulture nuk mund të preken, dhe lejet e tyre nëse janë dhënë pas datave zyrtare të shpalljeve të sipërpërmendura, do të jenë objekt rishikimi për legjitimitetin e tyre dhe objekt bisedimi me palët për të ruajtur Tiranën nga ndërtimet pa koherencë dhe pa plan të harmonizuar të qytetit.

– Janë disa kisha monument të restauruara së fundmi, ose që janë në proces. Përtej restaurimit e mirëmbajtjes, do të kthehet sistemi i kujdestarëve? Si do të ruhen ato nga keqbërësit, kujtojmë këtu rastin e kishës së Shën Mërisë së Elbasanit?
Pyetja juaj është e drejtë, por unë nuk e ndaj si metodë, sepse është e pamundur që në çdo kishë e në çdo gur të vendosim nga një roje. Dhe nuk është ky sistemi që duhet të krijojmë. Për kishat ne kërkojmë rregullisht bashkëpunim me Kishën Ortodokse që prifti i kishës të jetë njëkohësisht dhe kujdestar i saj, por kjo nuk është e mundur në kishat ku nuk ka shërbesa të rregullta. Unë besoj fort se bashkëpunimi me komunitetin është shumë më efikas, ndërgjegjësimi i tyre, edukimi i shkollave dhe të rinjve, bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe me policinë, janë mjete të cilat kur funksionojnë janë efikase. Rrjeti “Miqtë e monumentit” që kemi ndërtuar funksionon shumë mirë, dhe falë këtij rrjeti, sa për t’ju dhënë një shembull, nxorëm në dritë Termet romake të Durrësit që ishin kthyer në një gropë gjigande plehrash të grumbulluara aty në 25 vjet, ndërkohë që vetë Termet ishin zbuluar në vitet 60 kur ndërtohej mbi to, Pallati i sotëm i Kulturës.
Sot falë rrjeteve sociale dhe email-it ne marrim rregullisht informacion për sitet e trashëgimisë ku nuk ka punonjës të sistemit, dhe kjo na bën të mundur të ndërhyjmë brenda 24 orëve. Fakti që në këta dy vjet nuk flitet më për grabitje apo dhunime tregon se ky sistem funksionon.

– Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe ai i Orikut(Vlorë) janë tashmë të hapur për vizitorët, ndërsa është në proces puna për muzeun “Marubi”. Cilat janë projektet tuaja në këtë drejtim?
Muzeu Arkeologjik është një histori e vërtetë suksesi. Vetëm në 3 muaj kemi më shumë se 6 mijë vizitorë, madje dhe vizitorë të shquar që e kanë vlerësuar shumë muzeun, i cili në fakt ka ende disa pavijone të paplotësuara dhe që do të kryhen në vijim. Muzeu është gjithashtu një vend edukimi për të rinjtë dhe një mjedis koncerti shumë i pëlqyer nga publiku dhe artistët.
Ndërsa Orikumi nuk është muze, por park arkeologjik, i cili i është rikthyer vizitorëve i rehabilituar, i pajisur me sistem shërbimi dhe sinjalizimesh dhe bashkë me parkun e Amantias që është rehabilituar e sistemuar posaçërisht meritojnë të vizitohen e të promovohen në mënyrë të veçantë.
Gjithmonë e më shumë sitet e trashëgimisë i kemi kthyer në skena koncertesh e aktivitetesh të kulturës së gjallë, duke u dhënë një funksion, duke i promovuar, por edhe duke tërhequr me dashuri publikun te trashëgimia.
Marubi është një kantier shumë i rëndësishëm për Ministrinë e Kulturës që po e realizojmë në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe që do të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm, për ta kthyer në një muze unikal të fotografisë në Ballkan dhe me standarde europiane, por edhe në një qendër edukimi.
Muzeu i artit mesjetar në Korçë përfundon në të njëjtën kohë, një projekt shumë interesant që do të strehojë 6500 ikona. Ky muze do të krijojë një hapësirë të re ekspozimi për rreth 500 ikona si dhe laboratorin e restaurimit.
Por po kështu ka filluar puna për çlirimin e arenës së Amfiteatrit të Durrësit ku kemi kryer shpronësimin dhe po hiqen materialet inerte për të vijuar me rehabilitimin e arenës.
Kemi dhe projekte të tjera, por le t’i zbulojmë gradualisht.

– Ndonëse shpesh cilësohen si legjenda urbane, ç’mund të bëjë Ministria e Kulturës për të penguar dëmet që vijnë nga thesarkërkuesit?
Nuk janë legjenda urbane, janë fatkeqësisht keqbërës dhe trafikantë potencialë që vijnë vërdallë si hijena duke gërmuar në varret antike, në disa nekropole me shpresën se mund të gjejnë “thesare”.
Duhet thënë që është reduktuar shumë numri i këtyre episodeve të fundit kanë qenë para një viti në nekropolin e Orikumit. Bëhet fjalë për një shtrirje shumë të madhe dhe të shpërndarë në territor. Jemi vigjilentë, dhe siç thashë dhe më parë bashkëpunojmë fort me pushtetin lokal dhe policinë.
Nga ana tjetër, po ndërtojmë zonat e mbrojtura rreth nekropoleve, bashkë me misionet kërkimore të arkeologëve, si një mjet ligjor që detyron pushtetin lokal të ndërhyjë e të parandalojë.

– A do të shihet mundësia e restaurimit të shtëpisë së Abat Preng Doçit?
Për Abat Preng Doçin dhe veprën e tij, publiku shumë pak ose aspak nuk dinte deri në shtator 2014, kur Ministria e Kulturës, në kuadrin e aktiviteteve për vizitën e Papës, organizoi një konferencë, ekspozitë dhe promovim të jetës dhe veprës së këtij princi shqiptar, madje sapo kemi botuar dhe aktet e konferencës që u zhvillua në Rubik.
Fill pas kësaj ne e shpallëm monument kulture kullën e tij që deri në atë ditë s’ishte kujtuar kush ta konsideronte. Një shtesë ishte ngritur ndërkohë pas kullës, prej një pjese të pronarëve, pa leje të komunës dhe para shpalljes monument kulture. Ajo që na shqetësoi ishte avancimi i kësaj shtese në ditët e fundit të zgjedhjeve. Drejtoria rajonale, ndërhyri menjëherë, bashkëpunoi me Inspektoratin dhe Policinë, dhe falë këtij bashkëpunimi jo vetëm u ndalua, por edhe u prish shtesa.
Është në radhë të parë detyrim i shkelësve të ligjit ta rikthejnë në gjendjen që ishte dhe për këtë ne do të vazhdojmë ta ndjekim, si dhe do të përgatisim në vijim projektin e konsolidimit, duke kërkuar edhe kontributin e trashëgimtarëve të familjes Doçi.

– Është një strukturë me të cilën keni pasur shpesh përplasje, Forumi i Trashëgimisë. E keni parë mundësinë e bashkëpunimit me të si një strukturë e shoqërisë civile që ka qenë edhe para 2013-ës në të njëjtin pozicion?
Në dijen time nuk jam përplasur me Forumin. Nuk besoj se ka pasur ndonjë rast ku unë të jem shprehur kundra Forumit! Dhe nuk shoh pse duhet të përplasem pasi jam e bindur në korrektësinë dhe ligjshmërinë e proceseve të ndërmarra nga Ministria e Kulturës, gjë që këto dy vjet e kanë provuar mëse njëherë.
Çdo herë që përfaqësues të Forumit, kur ky kishte ende një strukturë drejtuese, kanë kërkuar takim jemi ulur e kemi folur për shqetësime të përbashkëta. Unë vetë kam qenë në kontakt të përhershëm me Zotin Bojaxhiu dhe kam pasur gjithmonë mirëkuptim të plotë me të. Kur kanë pasur interes për të qenë të pranishëm në mbledhjet e KKA-s apo KKR-s kanë qenë të mirëpritur siç janë të mirëpritur të gjithë qytetarët e Republikës. Një nga ndryshimet e mëdha në reformën që kemi kryer në trashëgimi është transparenca në vendimmarrje.

Që nga viti 2014 mbledhjet janë publike, të gjitha vendimet botohen brenda javës online, mediat kanë akses të plotë, dhe jo rrallë ka ndodhur që edhe rendi i ditës edhe vendimi kanë dalë në gazetë ose në rrjetet sociale para se të zbardhen. Deri në vitin 2013 asnjë vendim KKR apo KKA nuk gjendet i botuar në publik. Po kështu që nga viti 2014 asnjë vendim qarkullues nuk është marrë nga ne, çka do të thotë që çdo projekt bëhet objekt i një debati kolegjial të hollësishëm e profesional. Ndërsa vetëm në dy javët e para të shtatorit 2013 KKR kishte marre 9 vendime qarkulluese! Faktet flasin vetë.

– A është Ministria e Kulturës e kënaqur nga rezultati i projekteve që ka mbështetur (projektet private)?
Ministria e Kulturës është në radhë të parë shumë e kënaqur nga procesi i thirrjes për projekte të pavarura artistike, i cili aplikohet për të parën herë në sistemin e art-kulturës. Kjo i tha fund tarafeve, korrupsionit dhe monopoleve në ndarjen e parave publike të destinuara për këtë fushë.
Nga rreth 20-30 projekte në vit, sot mbështeten rreth 100 projekte artistike të pavarura në vit.
Nga ana tjetër mekanizmi transparent i thirrjeve publike për projekte, sipas standardeve europiane, ka sjellë një menaxhim dhe planifikim efikas të buxhetit, ka krijuar konkurrencë mes projekteve, ekuilibër mes gjinive dhe shpërndarjes sezonale dhe gjeografike.
Rezultatet janë shumë pozitive në këtë drejtim, është ndërtuar tashmë një kalendar artistik vjetor i organizuar e i promovuar nga Ministria e Kulturës duke e gjallëruar shumë jetën kulturore në vend sipas stinëve e sidomos në përshtatje edhe me sezonin turistik.
Po kështu ky mekanizëm ka shërbyer edhe si mjet edukimi për subjektet e pavarura në ndërtimin e kapaciteteve të tyre për të hartuar projekte. Akoma më e domosdoshme bëhet kjo kur Shqipëria është bërë anëtare e Creative Europe ku konkurrohet vetëm me cilësinë e projektit.
Dhe së fundi në këtë kalendar ka shumë aktivitete apo festivale që janë padyshim ngjarje të rëndësishme kulturore në vend dhe në rajon.

– A pati “Tirana Open” impaktin e pritur prej ministrisë? Po Festivali i Gjirokastrës?
Është e rëndësishme të kuptojmë që impaktin aktivitet e kanë në raport me publikun, me komunitetin e artistëve. Si një ndër mbështetësit e atij aktiviteti, Ministria e Kulturës konstatoi me kënaqësi që në edicionin e dytë “Tirana Open” duke u shtrirë në disa ndërtesa njëherësh e hapi aktivitetin edhe në gjini të tjera përveç librit dhe arteve pamore, me laborator arkitekture shumë interesant, me leksione magjistrale shumë cilësore, siç ishte aktiviteti i Adrian Pacit, me promovimin e librave të rinj, siç ishte romani i fundit i Ardian Vehbiut, me operetën Kater i Radës që pa frikë mund të cilësohet si një ngjarje e veçantë kulturore në qytet, sesionin e filmave të TIF, etj.
Ndërsa Festivali i Gjirokastrës 2015, është padyshim një arritje shumë e madhe e Ministrisë së Kulturës, por sidomos e folklorit origjinal shqiptar.
Me rreth 2000 pjesëmarrës që u ngjitën në skenë, me gjithëpërfshirjen gjeografike dhe të diasporës nga SHBA në Zvicër, me më shumë se 500 të rinj që nga mosha 5 vjeç, me kostume e instrumente të rigjallëruar si rrallë më parë, me intensitetin e jashtëzakonshëm të kalendarit 24 orë në 7 ditë të javës, me pjesëmarrjen e shumë të ftuarve specialë që jo vetëm dëshmuan përkthimin e folklorit në të tjera gjini muzikore bashkëkohore, por edhe tërhoqën një publik aktiv, të ri në moshë dhe besnik. Me skenat e shumta nga Kalaja në sheshet e qoshet e qytetit të gurtë ky edicion i quajtur ArgjiroFest_ON e ktheu të gjithë qytetin e gurtë në një skenë të madhe, të gjallë, dukë ringritur kështu kështjellën e folklorit si monumentin kryesor të trashëgimisë kulturore jomateriale.

– Galeria Kombëtare e Arteve ka nevojë për një linjë të re muzeale, ndërkohë që siç e dini, prej dy vitesh një koleksion i sekuestruar për llogari të një hetimi të prokurorisë, ka zënë një hapësirë të sajën. A do ta financojë Ministria e Kulturës linjën e re, dhe sa mund të bëni ju për zhvendosjen e ikonave?
Është e vërtetë që në GKA ndodhet ende koleksioni i sekuestruar i ikonave dhe ne kemi ndërhyrë disa herë pranë organeve të drejtësisë që të rishikohet vendndodhja e tyre, por kjo është pjesë e një procesi gjyqësor që vepron me të tjera ritme dhe të tjera përparësi. Me gjithë kërkesat tona mbetemi në pritje të një vendimi sa më shpejtë që të jetë e mundur për ta çliruar Galerinë.
Për linjën e re muzeale, Galeria e Arteve do të paraqesë një projekt të detajuar nga pikëpamja financiare dhe kalendarike për ta realizuar, kusht i domosdoshëm ky për planifikim në vitin e ardhshëm.
Ndërkohë vlen të thuhet se për vitin 2015 Galeria e Arteve ka pasur fondin më të lartë të projekteve në 5 vitet e fundit, ose katërfishin e fondit të destinuar për vitin 2014, dhe po kështu në vitin 2015 Galeria ka pasur në dispozicion edhe një fond investimi të veçantë që drejtoria mund ta përdorte sipas prioriteteve të saj.

– Muzeu Historik Kombëtar, përpos nevojës për restaurimin e fasadës, a do të ketë rikonceptim të pavijoneve?
Megjithë rehabilitimin që i bëmë godinës duke izoluar më në fund taracën, rindërtimin e Atriumit, rinovimin e ashensorit e të shërbimeve dhe biletarinë elektronike, rikonceptimi i pavijoneve është urgjent, kemi kohë që e mendojmë sepse në gjendjen aktuale, muzeu është pa koherencë, i fragmentuar, pa koncept profesional muzealizimi, aq sa në disa pjesë të tij duket sikur koha është ndalur në vitet 80 e nuk ka ecur më.
Kemi kohë që e mendojmë e për këtë po përgatisim një konkurs për një koncept të ri të muzeut dhe një rifunksionalizim të godinës, hapësirat e së cilës janë shfrytëzuar keq.

– Teatri i Operës në nëntor ‘mbyllet” për t’ju nënshtruar një rikonstruksioni. A ka ministria, një imazh a ide për pamjen e re të tij, si doni të jetë ky teatër pas ndërhyrjes?
Teatri i Operas do të mbyllet kur të ketë mbaruar projekti i zbatimit që është tashmë në fazë tenderimi, dhe kur të bëhet gati procedura për zbatim, çka do të thotë diku nga fillimi i vitit 2016.
Nuk mund ta dimë saktësisht si do të jetë ajo pamje përderisa ende s’është kryer projekt-zbatimi, por dimë me siguri se investimi synon të rinovojë plotësisht sallën e shfaqjeve me të gjitha elementët e saj, skenë, prapaskenë, auditoriumin, si dhe mjediset e provave dhe të shërbimeve, në parametrat e duhur dhe dinjitozë për cilësinë e shfaqjeve që pretendon trupa e TOB.

– Teatri Kombëtar do zhvendoset në një godinë të re. Për çfarë kohe bëhet fjalë dhe si do u përgjigjeshit shqetësimeve të artistëve: Cili është fati i ardhshëm i godinës aktuale?
Projekti i ri i qendrës së re skenike, është në përfundim, duke përllogaritur afërsisht kohën e procedurave të nevojshme për tenderin e punimeve, dhe me gjitha rezervat përkatëse, besojmë se në fillim të vitit 2017, skena e re do të jetë gati për të pritur trupën e Teatrit Kombëtar.
Godina aktuale, sipas të gjitha raporteve dhe ekspertizave teknike, është skajshmërisht e amortizuar dhe vështirësisht e rikuperueshme. Parashikojmë të organizojmë një konkurs vitin e ardhshëm për një projekt të ri teatri, në po atë sit, dhe aty do të vendoset nëse do të ruhet diçka nga godina ekzistuese apo do të ndërtohet krejtësisht e re në të njëjtin vend.

– Arti, kultura, trashëgimia sa e vështirë ka qenë në këto dy vite? A keni pasur presione dhe a keni ushtruar presione?
Viti i parë ka qenë më i komplikuar, sepse të gjitha fushat ishin njësoj problematike; sistemi i trashëgimisë dhe skena institucionale ishin lënë në dorë të inercisë dhe të mungesës të plotë të një strategjie e të prioriteteve sikurse gjetëm dhe një faturë të lartë borxhesh. Kjo ishte arsyeja pse viti i parë u karakterizua nga reforma të thella strukturore dhe administrative, dhe viti i dytë ishte një vit i konsolidimit të sistemit që ngritëm dhe i hapjes së shumë kantiereve që kanë filluar të japin rezultatet që përmenda më sipër. Presioni i vetëm që kam pasur ka qenë ai i ndjenjës së përgjegjësisë para publikut dhe i pritshmërive të mëdha e legjitime të komunitetit për ndryshim radikal. Presioni që ushtroj është i përditshëm mbi veten, mbi bashkëpunëtorët për të mos e ulur ritmin dhe për të mos humbur prioritetet.

– Cilat janë synimet tuaja, në krye të kësaj ministrie? Cilat janë ato që doni bëni patjetër, si ministre?
Të ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm menaxhimi dhe administrimi në institucionet publike të artit, që të mos ndryshojë me ndryshimin e qeverive dhe të ministrave, që të garantojë konkurrencën dhe meritokracinë dhe për këtë jemi në rrugë të mbarë.
Të zhvillojmë një politikë të fortë të edukimit përmes kulturës për të gjithë popullsinë sepse këtë e gjejmë të domosdoshme për stabilitetin social dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo është një nga prioritetet e qeverisë që e kemi futur në zbatim që në ditët e para.
Të nxisim skenën e pavarur të artit si një mënyrë të decentralizimit të kulturës dhe të nxitjes së krijimtarisë së lirë, duke hapur kufijtë e kulturës përtej kufijve administrativë.
Të përforcojmë sistemin e administrimit të trashëgimisë në mënyrë profesionale, duke e ruajtur, promovuar, por edhe kthyer në një burim të ardhurash ekonomike.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: