Shfaqja “Nata e Dymbëdhjetë” e William Shekspir erdhi mbërëmjen e djeshme për publikun kryeqytetas në Teatrin Metropol nga regjisori amerikan Justin Anderson.

Shfaqja erdhi nën interpretimin e aktorëve Met Xhelili, Rozi Kostani, Neritan Licaj, Armela Demaj, Florian Agalliu, Elona Hyseni, Guri Koco,Erin Kujofska, Erjon Hodo, Kastriot Ramollari, Ketjona Pecnikaj, Klea Konomi, Shkelzen Berisha, Silvio Goskova e Parashqevi Hallkaj.

Regjisori u shpreh për shfaqjen në një konferencë për shtyp se ,“për këtë shfaqje më janë dashur të kem 8 vjet bashkëpunime. E kam konceptuar si një komedi, që të bënte sens në bashkëpunimin midis dy kulturave amerikane dhe shqiptare. Unë isha i vetëdijshëm që shfaqja të mbetej pjesë e vendit ku do të luhej, pjesë e kulturës së Shqipërisë”, tha Justin Anderson.

Përmes kësaj komedie regjisori Anderson ka rrëfyer se subjekti kulturor shqiptar është bërë shumë familjar për të.E mbushur me këngë, me valle e folklor, komedia sipas regjisorit bëhet me motivin e shpjegimit të historisë me folkorin e mitologjinë shkruan ‘atsh’.

Ngjarjet e kësaj komedie, cilësuar nga pjesa më e madhe e studiuesve si më e mira, ndodhin në Ilirinë e kohërave të hershme, Shqipëria e sotme dhe besohet se ai e shkroi rreth vitit 1601. Në mbretërinë e Ilirisë, një fisnik i quajtur Orsino endet duke dëgjuar muzikë, sepse i mungon dashuria e Olivias, një vajzë e bukur të cilën ai nuk mund ta ketë sepse ajo është në zi për vëllain e saj të vdekur dhe nuk pranon asnjë propozim martese. Ndërkohë, në det, një stuhi e tmerrshme ka shkaktuar mbytjen e një anije… Mjafton ky fillim ngjarje për të ndërthurur me mjeshtëri shumë personazhe plot ngjyra të gjalla në situata mbi dashurinë e pashpërblyer, thyerjen e zemrave, por edhe gëzimin që vjen prej tyre në Ilirinë e dikurshme.

Teatri Metropol dhe regjisori amerikan Justin Anderson e kanë sjellë veprën në një tjetër kohë, në Shqipërinë e viteve 1800, koha e Lord Bajron, Ali Pashës dhe fotografëve Marubi duke ndërthurur elementë autentikë të kohës dhe vendit ku ndodhin ngjarjet si në muzikë e kostume.

Shfaqja do të vazhdoj për publikun në 7, 8, 9, 10 dhjetor e do të vijojë sërish në datat, 14, 15, 16 e 17 dhjetor në Teatrin Metropol.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb