Andres Iniesta duke parë se mosha nuk e favorizon më mund të largohet nga Barcelona për një aventurë të re dhe sipas raportimeve ofertat nuk mungojnë, madje janë stratosferike.

Gjithsesi për të bindur spanjollin klubi kinez Tianjin Quanjian i cili thuhet se ka bërë edhe ofertë zyrtare ka gati një plan special. Ata kanë premtuar se do të blejnë 2 milionë shishe vere të prodhuara nga kompania “Bodega Iniesta” e Manchuela, pranë Albacete, në Spanjën orientale, në pronësi të mesfushorit të Barcelonës.

Kështu, duke iu referuar asaj që shkruajnë në Spanjë dhe Gjermani, klubi i pasur i Super Ligës së Kinës, i drejtuar nga trajneri Paulo Sousa nuk është e gatshme vetëm të paguajë Iniestan 35 milionë euro në vit, por madje ka premtuar që të shtojë në kontratë edhe një “klauzolë verërash”.

Gjithçka për të rritur shanset që të bindë 33-vjeçarin e përfaqësueses spanjolle, që pasi ka fituar praktikisht gjithçka me Barçan, dhe pasi ka nënshkruar një lloj “rinovimi të përjetshëm” me katalanasit vetëm tetorin e kaluar, në qershor mund të vendosë të provojë një sfidë të ndryshme.

Një eventualitet ky i sinjalizuar edhe nga Pep Guardiola, që me Iniestan ka ndarë shumë nga sukseset më të rëndësishme në historinë moderne të Barcelonës, dhe që di mirë se sa kontributi i tij mund të jetë ende thelbësor për Manchester City, por sikurse shkruan ironikisht edhe tabloidi “The Sun”, historia e verërave mund të përfundojë që të dehë të gjithë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb