TIRANE- Pasi kërkesa e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme mbërriti në zyrën e presidentit të Republikës Ilir Meta, ku kërkohet plotfuqishmëria në lidhje me nisjen e negociatave dypalëshe të Shqipërisë dhe Greqisë, ky i fundit ka nisur lëvizjet e tij për konsultim. Kaq ka mjaftuar që Meta të presë në një takim ish-presidentin Bujar Nishani.

Takimi në fjalë është zhvilluar sot në orën 08:00, ndërkohë që Meta pritet të konsultohet këto dy ditë edhe me ish-presidentë të tjerë që kanë pasur detyurën e kreut të shtetit. Burime nga Presidenca thanë për ‘BalkanWeb’ se kërkesa e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme kishte mbërritur dje.

“Sot në 08:00 Meta ka pritur Bujar Nishanin për t’u konsultuar. Meta do të konsultohet edhe me ish Presidentët e tjerë këto ditë”, thanë burime nga presidenca.

Kujtojmë se kërkesa bëhet nga Ministria e Jashtme, para se ekspertët të ulen në tryezën mbi hartat për të piketuar kufijtë detarë.

Në rastin e kufirit detar, kriteret e dakordësuara janë ato të 12 miljeve dhe të vijës së mesit mes kufirit të të dy vendeve. Nga parimi i 12 miljeve përfitonin Shqipëria dhe Greqia bashkë dhe se matja do të niste nga ishujt grekë të banuar në vitin 1913.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb