NGA Darina TANUSHI

TIRANE- Nënkryetarja socialiste e Kuvendit, Vasilika Hysi ka pranuar të flasë për herë të parë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” për propozimin që iu bë për të qenë numri “dy” i Kuvendit. Ajo shprehet se tashmë seancat parlamentare, nën drejtimin e Gramoz Ruçit janë më të disiplinuara.

Znj. Hysi jeni prej gati tre muajsh në postin e nënkryetares së Kuvendit. Si e pritët kur jua propozuan këtë detyrë?
Propozimi u bë në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste nga z. Gramoz Ruçi dhe u miratua nga kryesia. E mirëprita, pasi së pari është vlerësim për kontributin e dhënë, por edhe mundësi për të pasur një përvojë pune në drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë. Isha kurioze të punoja me z. Ruçi. E kam vlerësuar si sekretar të Përgjithshëm të partisë dhe kryetar grupi. Gjithnjë e kam vlerësuar z. Ruçi për faktin se nuk ka fjalë të shumta, është i prerë në marrjen e vendimeve, i qartë, i saktë, vlerësues për punën që bën, i jep drejtim shpejt dhe me pjekuri, pa lënduar, çështjeve paksa delikate, mbështetës për gratë në politikë. Dhe një aspekt i veçantë, që shumë pak vetë e njohin, është natyra njerëzore e tij, shpesh e palexuar në pamjen e jashtme dhe mes ekranit, por kush punon me të e vë re menjëherë. Mos harroj të them që është një njeri që i gjendet pranë njerëzve në shqetësimet dhe hallet e tyre. Besoj se do të jetë një përvojë e bukur në karrierën time në politikë.

Ju, për disa kohë, në fund të legjislaturës së shkuar, drejtuat Komisionin e Ligjeve. A do të donit të vazhdonit në këtë detyrë?
Unë vazhdoj të jem anëtare e Komisionit të Ligjeve dhe jam e kënaqur me detyrën e re që më është besuar. Megjithatë, ishte një përvojë e bukur dhe shumë profesionale, ndonëse jo e lehtë, nëse mban parasysh që zëvendësoja kolegun tim, z. Fatmir Xhafaj që kishte krijuar profilin e vet të gjatë si kryetar komisioni dhe njeri me kontribute dhe reputacion në parti dhe në drejtimin e komisionit.

Përveç angazhimit politik, ju jeni edhe pjesë e universitetit. A do preferonit të riktheheshit me kohë të plotë në auditore?
Nuk e përjashtoj si mundësi në një moment të karrierës sime. Nuk jam shkëputur nga jeta akademike, pasi ajo është shumë e bukur dhe aty unë fillova rrugëtimin e karrierës profesionale, 32 vjet më parë. Prej vitit 2009, jam angazhuar me kohë të pjesshme dhe dy vitet e fundit, më pak, për shkak të angazhimeve me reformën në drejtësi dhe punën si e zgjedhur. Përpiqem të gjej kohë nga koha ime private dhe familjare, të ndjek zhvillimet e fundit në fushë, të lexoj, të shkruaj artikuj ose kumtesa shkencore, të drejtoj ndonjë punim shkencor të studentëve në programin e doktoraturës. Të qënit në auditor me studentë/et dhe diskutimet me ta për çështje të caktuara profesionale është një adrenalinë e vërtetë.

Sa ka ndryshuar parlamenti nën drejtimin e Gramoz Ruçit? A është bërë më autoritar ky drejtim, krahasuar me drejtimin e zotit Meta, kur koha që i linte për të folur ish-kryeministrit Sali Berisha ishte më e gjatë?
Seancat plenare kanë ndryshuar. Rregullorja e Kuvendit zbatohet më mirë ndaj cilitdo, ish- kryeministër ose kryeministër, deputet i mazhorancës apo i opozitës. Nuk mund të them se është me autoritar, por rregullorja respektohet dhe seancat janë më të disiplinuara. Autoritar ka kuptim shpesh negativ dhe që përjashton diskutimin dhe konsensusin në vendimmarrje. Z Ruçi drejton Këshillin e Rregullores dhe atë të Legjislacionit, mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, mbledhjet e Byrosë. Shpesh është më tolerant dhe krijon hapësira për konsensus me shumë sesa vetë anëtarët e këtyre organeve. Pa dyshim, kjo është edhe shprehje e pjekurisë politike dhe përvojës së gjatë të tij. Tashmë, mund të thuhet se të gjithë jemi familjarizuar me zbatimin e Rregullores, më të vetmin përjashtim që ka deputetë që flasin për gjithçka, por jo për përmbajtjen e projektligjit që është në rend të ditës. Besoj shumë shpejt do zbatohet edhe kjo pikë e rregullores që për çështjet jashtë rendit të ditës të flitet në kohën prej 60 minuta që parashikon rregullorja e Kuvendit.

Lexoni këtu intervistën e plotë në Gsh.al:

http://www.gsh.al/2017/12/03/nenkryetarja-e-kuvendit-rrefen-per-reformen-ne-drejtesi-hysi-ishte-universitet-dyte/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: