TIRANE- Arrestimi i Moisi Habilajt në shtetin italian si pjesë e një bande që trafikonte drogë nga Shqipëria në Itali trazoi politikën shqiptare, e cila iu kthye ngjarjeve të së shkuarës.

Lideri i opozitës Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti i LSI Endrit Braimllari e lidhën emrin e tij me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili u akuzua dy vite më parë se iu shiti makinën këtyre trafikantëve.

Pikërisht sipas opozitës, njëri nga trafikantët që Tahiri iu ka shitur makinën është Moisi Habilaj.

E ndërsa nuk ka ende një reagim nga ish-ministri për këtë ngjajre, po ju sjellim në vëmendje deklaratën e tij të bërë në vitin 2015-të kur opozita i kërkonte të jepte dorëheqje.

“Për çfarë ta jap dorëheqjen, që del një punonjës policie e thotë se paskam ca kushërinj të largët të cilëve iu kam shitur makinën dhe qenkan kriminelë. Në dijeninë timë s’janë, por edhe sikur të jenë…të jap unë dorëheqjen se çmendet një kushëriri im edhe vëllai im? Nëse unë jam përgjegjës, unë do mbaj përgjegjësi. Në rast se ata rezultojnë nga hetime që janë trafikantë, unë do i kërkoj falje publikut se paskam shitur makinën ca trafikantëve”,- deklaronte ish-ministri.
(m.a/BalkanWeb)

Etiketa: