TIRANË- Partia Demokratike iu ka bërë thirrje sërish qytetarëve të bashkohen në protestë nesër para parlamentit. Në një dalje para mediave deputetja e PD-së Grida Duma akuzoi kryeministrin Edi Rama se kërkon që më Kryeprokurorin e ri politik të ndalë hetimin për Tahirin, Sejdinin e Dakon.

“Edi Rama do të bëjë nesër një puç kushtetues. Ai ka shumë arsye për të shkelur Kushtetutën, për të shkatërruar reformën në drejtësi dhe për të marrë nën kontroll Prokurorin e Përgjithshem!
Lidhjet e Ramës dhe të qeverisë së tij me trafikun ndërkombëtar të drogës dhe me aferat më të rënda korruptive kanë filluar të dalin në sipërfaqe duke i rrezikuar pushtetin.
Ministri i tij model, Saimir Tahiri, është nën hetim në Shqipëri dhe në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Prandaj, Edi Rama, që lejoi, mbështeti dhe bleu pushtetin me paratë e drogës, kërkon të pengojë dhe të ndalë hetimet për Saimir Tahirin! Me prokurorin e tij politik ai do të shpëtojë Tahirin nga hetimi dhe drejtësia”, deklaroi Duma.

Ajo tha më tej se kompania e Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, është nën hetim për trafik droge. “Ai vetë, njësoj si Dako, ka vënë në shërbim të trafikantëve dhe kriminelëve shërbimet publike dhe lejet e ndërtimit ne Elbasan. Duke marrë nën kontroll Prokurorin e Përgjithshm, Edi Rama do të shpëtojë Vangjush Dakon dhe deputetë socialistë të lidhur me të.
Mediat raportuan dje se kompania e Eskobarit të Ballkanit, Kelment Balili, në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, ka marrë deri para pak ditësh dhjetëra kontrata për ruajtjen e objekteve shtetërore në Qarkun e Vlorës”, tha Duma.

Ajo theksoi se “lidhjet e Ramës me trafikun ndërkombëtar të drogës janë të shumëfishta, prandaj ai do me cdo me cdo kusht të bëhet vetë edhe Prokuror i Përgjithshëm”.

“Këto janë arsye të mjaftueshme që çdo qytetar t’i bashkohet protestës së opozitës nesër përpara Parlamentit. Ne ftojmë këdo që beson tek demokracia, që ka vendosur të ndërtojë jetën në këtë vend dhe që do të jetojë me dinjitet të bashkohet me protestën tonë nesër para parlamentit. Nesër populli do të bashkohet në mbrojtje të Kushtetutës dhe Reformës në Drejtësi! Të bashkohemi nesër e të tregojmë se nuk pranojmë një diktaturë të re, diktaturën e krimit kundër të ardhmes tonë europiane!​”, deklaroi Duma.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: