TIRANE-Ditën e djeshme, në “Gazeta Shqiptare”, poetja Mimoza Ahmeti, së fundmi edhe opinioniste e reality show-t “Big Brother”, u shpreh e pakënaqur lidhur me spektaklin. Pakënaqësia e saj lindi nga një foto e montuar ku Mimoza shfaqej bashkë me Edisionin, konkurrentin që largoi produksioni javën e kaluar. Veç kësaj, opinionistja shprehte pakënaqësi edhe për sjelljen e stafit e gjithashtu për pagesën që i kanë ofruar. Ajo shprehu dëshirën për t’u larguar nga ky spektakël, megjithëse nuk e ka vendosur përfundimisht. “Kam vënë një status në ‘Facebook’, pasi kam parë të publikuar një foto të montuar me germa të pakuptueshme sipër dhe me shprehje kategorike poshtë, ku jam unë dhe konkurrenti i larguar nga produksioni. Kjo foto më duket e qëllimshme, duke dashur të më fusin në konflikt mua dhe konkurrentin. Prej mëngjesit të ditës së djeshme, kam kërkuar nga autorja e ‘Big Brother’ numrin e Edisonit dhe nuk ma ka dhënë, duke ia shprehur dhe shqetësimet e mia.

Sipas autores Zefina Hasani, faqja që ka publikuar foton nuk është zyrtare dhe nuk administrohet nga ky produksion. Mirëpo kur kontaktova me Edisonin, ai më tha që faqja është e punonjësit të ‘Top Channel’ Olti Curri. Ai më tha se i ishte lutur për një video timen se ma kishte kërkuar, dhe ai i ishte përgjigjur se në faqen e tij mund të bënte ç’të donte. Sigurisht që kam menduar të largohem nga ky spektakël, megjithëse nuk kam vendosur ende përfundimisht. Nuk mund të punoj në një institucion të dubluar, të cilët nuk merakosen as të japin qoftë edhe një reagim për punonjësit e tyre dhe në këtë rast për integritetin e opinionistit. Unë ende nuk kam firmosur kontratë me ta, pasi nuk më ka pëlqyer as oferta e pagesës. Më kanë ofruar 200 mijë lekë të vjetra për puntatë, ndërkohë që di se opinionistët para meje janë paguar shumë më tepër”, – tha Ahmeti. Një status të ngjashëm për çështjen, opinionistja e publikoi edhe në profilin e saj të “Facebook”-ut. Gazetari Olti Curri, është përgjigjur me dashamirësi lidhur me këtë, duke shkruar edhe ai një status e duke saktësuar se gjithçka ishte për humor. “Moza e shtrenjtë që të dua aq shumë sa të kam dashur e do të dua.
Posterat që botoj janë lloji i humorit që unë bëj, sepse ashtu më vjen, ti që vetë përdor humor duhet t’i kuptosh. Nëse humori im është ndryshe nga i yti, duhet të tregosh edhe tolerancë. Unë jam Olti Curri, gazetar i Olti Curri fan-page, blog me komente për spektakël & art. Kam një emision në ‘Top Albania Radio’, por vijën editoriale të faqes sime nuk e cakton absolutisht ‘Top Channel’.

Sa për faktin që paske “qarë halle” me Edisonin se dua t’ju fus në sherr, nuk kam koment. Ndërkohë që, uroj që në ‘Big Brother’ (por edhe në çdo emision tjetër) të vazhdosh me opinione, sepse mendimi yt që fluturon i lirë në një botë që mund të na frikësojë por na magjeps, është i domosdoshëm. P.S. Linku që klikon dhe të fshihen komentet nuk është faqja zyrtare e ‘BBA’-së”, ka shkruar Curri.

AUTORJA
E kontaktuar nga “GSH”, autorja e “Big Brother”, Zefina Hasani nuk ka dashur të komentojë në lidhje me këtë çështje. Ajo ka thënë vetëm se nuk është në dijeni se kush nuk është sjellë mirë me të. “Unë s’e di cili staf nuk është sjellë mirë me të. S’e kam idenë për fotot që hidhen në ‘Facebook’-un e të tjerëve”, – ka thënë ajo.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: