TIRANË – Policia e Shtetit i ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin sot udhëtimet për në jug të vendit, pasi situata është tejet problematike. Në çdo moment pritet edhe bllokimi i rrugëve nacionale, pas atyre rurale, për shkak të vërshimit të disa lumenjve, si Osumit, Vjosës, Devollit.

Njëkohësisht, Policia “kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve për të zbatuar kërkesat ligjore, të bashkëpunojnë me patrullat e policisë rrugore dhe asaj të rendit në territor për të bërë të mundur evitimin e bllokimeve dhe normalizimin e situatës me qëllim shmangien e ngjarjeve aksidentale.”

Për shkak të situatës së krijuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur dhe funksionon Shtabi i Emergjencës.

Në ndihmë të banorëve në zonat e rrezikuara nga prurjet e mëdha të lumenjve e përrenjëve janë angazhuar të gjitha forcat e Lëvizshme Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit , si dhe kanë kaluar në gadishmëri të plotë, efektivat e Policisë në Drejtoritë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, Fier, Vlorë e Berat.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: