SHBA– Shtetet e Bashkuara shpresojnë për një “çarmatim në përmasa mjaft të mëdha” të Koresë së Veriut brenda 2 vjetësh e gjysmë, tha sekretari i Shtetit Mike Pompeo të mërkurën, një ditë pasi presidenti Donald Trump nënshkroi një marrëveshje me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, ku parashikohet dhënia fund e programit të armëve bërthamore të Phenianit.


Diplomati më i lartë i SHBA, i cili informoi në Seul zyrtarët e Koresë së Jugut rreth takimit Trump-Kim në Singapor, tha se SHBA “pa asnjë dyshim” kërkojnë një veprim të verifikueshëm të Koresë së Veriut për të çnuklearizuar gadishullin Korean deri në fund të mandatit të parë të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë në Janar 2021.

“Unë jam i bindur se ata e kuptojnë se do të ketë verifikim në thellësi”, tha zoti Pompeo, duke shtuar se bisedimet e mëtejshme me Korenë e Veriut mbi mënyrën se si dhe kur do të përfundojë programi i saj bërthamor do të rifillojnë “diku javën e ardhshme”.

Ai tha se Trump dhe Kim arritën mirëkuptime të cilat nuk u pasqyruan me shkrim në dokumentin që ata nënshkruan.

“Jo e gjitha u pasyrua në dokumentin përfundimtar,” tha zoti Pompeo. “Pati shumë aspekte të tjera ku u arritën mirëkuptime por ne nuk mundëm t’i pasqyrojmë me shkrim. Kjo do të thotë se ka ende punë për të bërë. Gjithsesi është bërë një punë të madhe përtej asaj që duket në dokumentin përfundimtar. Kjo do të jetë pika nga do të fillojmë kur të kthehemi në bisedime”, tha ai.

Në SHBA, kritikët e marrëveshjes thanë se ajo ishte tepër e shkurtër dhe nuk kishte detaje dhe se Presidenti Trump i kishte bërë shumë lëshime Kimit, sidomos me njoftimin e papritur të tij Shtetet e Bashkuara do t’i jepnin fund manovrave të tyre ushtarake me Korenë e Jugut, diçka që prej kohësh e kishte irrituar Korenë e Veriut.

Presidenti Trump u kthye në Uashington, duke deklaruar në Twitter: “Nuk ka më kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut”, edhe pse marrëveshja që ai nënshkroi me udhëheqësin Kim Jong un nuk tregon në hollësi se si do të çmontohet nga Pheniani programin i tij i armëve bërthamore.

(BalkanWeb)