Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka ndaluar sot 1 punonjës policie dhe 1 avokat, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë në këmbim të shpërblimeve monetare. Burime zyrtare thanë se bëhet fjalë për inspektorin Haki Dyli, 60 vjeç, punonjës policie me detyre trupë shërbimi në Sigurinë e godinës së Gjykatës Durrës dhe Devis Qana, 40 vjeç, Avokat, pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë.

Ndalimi i tyre u bë në kuadër të një procedimi penal nisur disa muaj më parë, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm, ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Pas një hetimi me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme. Të dy këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u premtonin palëve në proces hetimi dhe gjykimi favorizim përmes ndikimit me forma anti-ligjore. Në këmbim të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë, ata kërkonin shpërblime monetare që varionin deri në 2.000 euro.

Ndërkohë, hetimet po vijojnë për të zbardhur të tjera detaje.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb