BEOGRAD– Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, thotë se deklarata për Kosovën e anëtarit boshnjak të Presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviç, është komplekse dhe me pasoja të gjera, që duhet të merren parasysh në mënyrë serioze.

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, të publikuar të hënën, Izetbegoviç ka thënë se sa i përket tij, Kosova, deri më tani, është dashur të njihet nga Bosnja.

I pyetur nëse Bosnja do ta njohë Kosovën, Izetbegoviç ka thënë: “Shpresoj se po”.

Vuçiç tha të martën se Serbia do të vendosë për përgjigjen e saj ndaj kësaj deklarate.

Ai tha se të enjten do të mblidhet Këshilli për Siguri Kombëtare i Serbisë.

“Shumëçka ka ndryshuar pas kësaj interviste”, tha Vuçiç.

Zyra e Izetbegoviçit reagoi të martën, duke thënë se agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” ka postuar lajm të rremë kur ka thënë se Izetbegoviç ka deklaruar se Bosnja do ta njohë Kosovën.

“Pjesë të intervistës që anëtari i Presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegoviç, ka dhënë për “Deutsche Welle-n”, agjencia “Tanjug” i ka transmetuar në mënyrë të pasaktë, jashtë kontekstit dhe në mënyrë tendencioze, duke shtrembëruar vetë thelbin e deklaratës”, tha në reagim zyra e Izetbegoviçit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: