TIRANË- Ndërsa mbrojtja e Saimir Tahirit i kërkon Gjykatës së Krimeve të Rënda që ta lërë të lirë ish-ministrin pasi nuk ka prova që vërtetojnë se ai është përfshirë në trafik droge, detaje të reja mësohen nga seanca që ende nuk ka përfundur.


Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se ish-ministri i Brendshëm është shfaqur ironik në gjykatë, madje ka replikuar edhe me prokurorët.

Ish-ministri i ka akuzuar prokurorët se kanë abuzuar me faktet, duke shkruar gënjeshtra. Prokurorët kanë kërkuar që Tahiri të mos lirohet pasi dyshojnë që mund të intimidojë dëshmirtarët e çështjes, duke përmendur këtu një takim të ish-ministrit me Orgest Liperin, pronarin e skafit me të cilin ka udhëtuar drejt Greqisë.

Prokurori tha se Tahiri e ka takuar për ta intimiduar, duke treguar madje se ata kishin përgjuar takimin mes të dyve. Ata po ashtu ngulën këmbë se edhe ish-zv.ministrja e Brendshme Elona Gjebrea nuk ka thënë të vërtetën.

Por ish-ministri nga ana e tij është shprehur se Liperin e ka takuar për t’i kërkuar ndjesë që u përfshi në të gjithë këtë histori.

Nuk kam pasur qëllim ta intimidoj, i kam kërkuar falje që e përfshiva në këtë mesele. Bëra detyrën time qytetare. Nuk kisha mundësi të ndikoja tek qytetari. Takimi me të pak ditë pasi kishte dhënë dëshminë e tij, por thjesht i kërkova ndjesë“,- mësohet të ketë thënë në gjyq.
(m.a/BalkanWeb)