TIRANE-Votimi i disa punonjësve që do të dërgohen në qarqe për të mbikëqyrur reformën territoriale ka sjellë përplasje brenda maxhorancës në sallën e Kuvendit ku u miratuan sot Paketa Fiskale dhe drafti i Projekt/Buxheti për vitin 2015.

Gjatë votimit të buxhetit kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe debatoi me deputetin Bashkim Fino lidhur me numrin e punonjësve që do të dërgohen në qarqe për reformën territoriale.

Sipas Finos në qarqe duhet të emërohen 12 punonjës, ndërkohë që Komisioni i Ekonomisë, i mbështetur edhe nga kryeministri Rama kërkon tetë punonjës. Fino u shpreh se propozimi i tij duhet të hidhet në votim dhe pas kësaj kërkese të mbështetur edhe nga disa deputetë kryetari Meta e hodhi në votim.

Me shumicë votash fitoi propozimi i Finos çka bëri që Braçe të largohet në mënyrë demonstrative nga salla.

Por pas këtij votimi ndërhyri sërish kryetari i Grupit Parlamentar socialist Ruci i cili u shpreh se “në këtë rast është shkelur Rregullorja e Kuvendit pasi amendamenti i Finos duhet të dorëzohej 24 orë përpara”.

Por Fino mendon ndryshe.

“Unë besoj se fitorja është fitore, por nuk është personale. I kemi dërguar me shkrim të gjitha propozimet Komisionit të Ekonomisë. Sot që pashë raportin më rezulton se janë tetë punonjës. Cfarë të keqe ka që nga 8 të jenë 12? Unë po ta dija do e kisha bërë një javë përpara propozimin”, tha Fino.

Kreu i kuvendit Ilir Meta kërkoi që votimi të shpallet i pavlefshëm ndërsa në fund kryeministri Rama tha se agjencia për Reformën Territoriale do të ketë 12 punonjës dhe kjo do rregullohet me akte nënligjore, ndërkohë që votimi u anulua. “Kjo është e vetmja mënyre për të arbitruar ndeshjen mes Braces e Finos”- tha Rama.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb