TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njëherësh kryeministër i vendit, deklaroi se asambleja e selisë rozë mbështeti listën e kryesisë, ku sipas tij çdo njësi është përfaqësuar.

Gjatë mbledhjes së grupit të PS-së, Rama falënderoi publikisht për gjestin e tërheqjes nga lista të socialistit Namik Dokle, ndërsa e falënderoj atë për kontributin e tij të deritanishëm për të majtën.

“Falënderoj asamblenë për mbështetjen që i dha listës së Kryesisë. Falënderoj shokun tonë Namik Dolken për atë që ka dhënë në këto 25 vite, që i hapi rrugë listës për tu zgjedhur të rinj. E falënderoj për kontributin e tij. I mirëpres të gjithë që të jenë në lartësinë e përgjegjësisë në forumin e partisë në këtë fazë reformash që përkon me sfidën e konfirmimit të mandatin tonë në zgjedhjet e ardhshme.”, tha ai.

Kryeministri Rama tha se me vendimin për të bojkotuar 10 ditë Kuvendin, PD u solidarizua me thirrjen e Berishës “merrni armët të mbroheni nga reforma në drejtësi”. Sipas Ramës, PD po përpiqet me çdo kusht ta pengojë reformën.

“PD-së i mungon vullneti për të bërë reformën në drejtësi. Masës së marrë nga Kuvendi i Shqipërisë për të mos lejuar për 10 ditë atë që bëri thirrje për marrjen e armëve, PD i është përgjigjur me bojkot 10 ditë të punimeve të kuvendit, në solidaritet të plotë me thirrjen merrni armët që të mbroheni nga reforma në drejtësi. E gjithë përpjekjes për të kriminalizuar qeverisjen i është shtuar edhe nevoja e brendshme gjithmonë e më therëse për të penguar me çdo kusht reformën në drejtësi.”- deklaroi Rama.

Ndër të tjera, Rama paralajmëroi nisjen e reformës së ujit, që siç tha ai do të jetë një sfidë e jashtëzakonshme por e domosdoshme.

Nga ana tjetër, kreu i PS-së theksoi se puna e vërtetë nis javën e ardhshme, ku deputetet do të dalin ‘për dialog për Shqipërinë’ në çdo qytet apo fshat. Po ashtu, Rama përmendi disa nga reformat që ndërmori në këto 3 vite qeverisje e majta, fill pas kohës që erdhi në pushtet.

“Puna jonë do nis javën e ardhshme dhe kërkoj që mos të humbasim asnjë ditë në fillim e procesit dhe nisjen e dialogut të ri me Shqipërinë. Qytet më qytet, fshat më fshat, lagje më lagje nis puna. Kemi hapur gjatë këtij mandati kantierin më të madh të reforma, dhe nisëm punë më serioze për të bërë shtet. Reformë të hartës Territoriale, reformë në sistemin fiskal, në një nismë të dhimbshme për tu hapur rrugë rritjes së qëndrueshme ekonomike. Reformë në sistemin e energjetikës, për të kaluar nga një sistem i falimentuar, në një sistem që krijon kushte për të gjeneruar mirëqenie. Reformë të sistemit të pesnsioneve, në prag të një kolapsi, duke e vendosur sistemin mbi themele, që garantojnë qëndrueshmëri. Reformë në sistemin arsimor në gjithë nivelet, dhe reformë në sistemin shëndetësor, në administratë publike.”, theksoi ai.

EKONOMIA
Kryeministri Edi Rama ka folur me nota shumë pozitive për ekonominë në vend dhe premisat e saj. “Jemi në kushtet kur kemi një konsolidim të rëndësishëm fiskal dhe në kushtet kur kemi shtuar me 2% peshën e të ardhurave në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar. Kjo tregon për rritjen e kontributeve të taksapaguesve dhe uljen e informalitetit.

Shakaxhinjtë thonë se është rritur borxhi, por sot është krejtësisht nën kontroll dhe nëse borxhi publik u rrit kur ne e morëm në dorë qeverisjen e vendit, u rrit pikërisht për të përballuar impaktin vrastar për financat dhe njerëzit, të kolapsit që do të përballeshim në fund të vitit nëse nuk do bënim shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve. Nëse nuk do kishim bërë këtë operacion që ndali hemorragjinë, që i ktheu mbrapsht 700 mln dollarë kompanive sot ne do të kishim një borxh publik prej 65.8%. E kemi më të lartë se kemi marrë këto masa”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit theksoi se 2016 është viti i parë i kësaj qeverie kur borxhi do të ulet. Ai paralajmëroi se në 2020 borxhi do të shkojë drejt 60%.

“Kemi hyrë në vitin e parë, kur borxhi fillon të ulet. Në 2020 borxhi do shkojë drejt 60% me reformën. Kemi vitin e parë me deficit primar pozitiv, çka do të thotë se Shqipëria nuk harxhon më shumë seç ka. Për sa i përket shërbimit të borxhit, në 2014 keni paguar 13 mld më pak interesa nga borxhet dhe në 2015, 5 mld më pak nga interesat. Për çdo 100 lekë të marra borxh, qeveria jonë ka investuar 194 ndërsa qeveria e mëparshme investonte 141”, tha ai.

INVESTIMET
Rama edhe njëherë ka mohuar rënien e investimeve të huaja. Ai theksoi se Shqipëria është vendi i dytë në rajon për investimet e huaja, pas Malit të Zi.

“Shakaxhinjtë e përparimit vijnë vërdallë duke thënë se kanë rënë investimet e huaja dhe po ikin kompanitë nga Shqipëria. E vërteta ndryshe. Në vitin 2015, Shqipëria ka patur volumin më të madh të investimeve të huaja, historik në raport me vetveten, duke përjashtuar vitin e koncesioneve skandaloze të HEC-eve. Jemi të dytët në rajon, pas Malit të Zi që ka investime në turizëm. Edhe në vendin tonë do shkojnë duke u rritur në volum, pas një pune për të korrigjuar imazhin skandaloz të Shqipërisë. Asnjë kompani nuk ka ikur nga Shqipëria, përveç një kompanie në fushën e naftës e cila ka qenë e lidhur me çmimin e ulët dhe marrëveshjen e shumë të pafavorshme me një kompani që rezultoi të ishte një mashtrim para 2013”, u shpreh ai.

PUNËSIMI
“Mbetet një sfidë e madhe për Shqipërinë, rajonin, Europën, por asnjë vend tjetër në rajon nuk e ka bërë atë që kemi bërë ne për punësimin”, deklaroi kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit të PS. Sipas tij, në asnjë vend tjetër nuk ekziston shifra e shumëduartrokitur nga Banka Botërore e FMN e rritjes së numrit të punonjësve në regjistruar në Republikën e Shqipërisë. “Është rritje e jashtëzakonshme. Ka një rritje të atyre që marrin mbi pagën më të ulët dhe ka një rritje të numrit të punonjësve që marrin rrogë në sistemin privat. Nëse deri para 2 vjetësh sistemi publik, sektori publik kishte një peshë shumë të madhe në kontributin me rroga sot pesha e sektorit publik ka rënë. Ekonomia private po spostohet dita-ditës nga zona gri dhe e zezë në zonën formale”, tha Rama.

Në përfundim kreu i PS kërkoi që të zhvillohet një bashkëbisedim i hapur me bazën e partisë ku siç tha ai do të vazhdojë të intensifikohet rritja e mëtejshme të anëtarësimeve.

(ed.me/er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: